E Diel, 1 Nëntor 2026

Gashi: Në asnjë rast nuk ka pasur shkelje

Kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, mohon që KRRT-ja të ketë dhënë leje ndërtimi apo shesh ndërtimi në prona publike. Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast. I përfolur si nën hetim për lejet që ka dhënë KRRT-ja e Komunës Rrashbull që ai kryeson, kryekomunari ka vijuar dje normalisht detyrën e tij. Ai ka deklaruar se dokumentacioni është ligjor dhe se është kompetencë e Këshillit të Rregullimit të Territorit të komunës të japë lejet për ndërtim dhe sheshe ndërtimi. I pyetur nga gazeta "Shqip", Gashi thotë se miratimet janë të bazuara në ligj dhe se ai nuk është nën hetim për këtë dhe gjithçka do të zbardhet edhe për ish-vartësit e vet. Ndërkohë, pyetjes se pse ndërtimet me më shumë kate sesa përcaktohet në ligj dhe në VKM kanë vazhduar në zonën e Shkëmbit të Kavajës, Gashi i përgjigjet qetë se në një tjetër moment do të flasë për to. Bazuar në faktin se akuzat e ngritura ndaj Bajramajt dhe Beqirajt mbështeten në leje të miratuara nga KRRT-ja e komunës përmes vendimeve kolektive, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës sqarojnë se dy të hetuarit kanë qenë relatues të tyre. Flori Bajramaj ka qenë juristi dhe e gjithë ligjshmëria e dokumentacionit kalonte përmes tij për secilën prej kërkesave për leje. Ndërsa Pasho Beqiraj ka qenë sekretar teknik i KRRT-së së komunës. Në të gjitha vendimet e marra dhe në formularin 4 gjendet firma e tij krahas asaj të kryetarit të komunës, Hysen Gashi. Ndryshimi i përcaktimit të numrit të kateve të godinave në vendimin e KRRT-së nga numri që shfaqet në këtë formular, i cili njihet nga organet kompetente që ndjekin zbatueshmërinë, dyshohet të jetë "kleçka" ku bazohet akuza që ka rënduar mbi 2 emra, pavarësisht se vendimet janë marrë nga një numër më i madh njerëzish.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›