E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti, tri javë të tjera për vlerësimin e dëmeve

Komisioneve qeveritare të vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 6 shtatorit, do t‘u duhen edhe tri javë, deri në nxjerrjen e rezultateve përfundimtare. Ndonëse ishte premtuar që bilanci i tërmetit të fuqishëm që pati për epiqendër Gjoricën do të përfundonte brenda pak ditësh dhe banorët do të dëmshpërbleheshin, do të duhen dhe tri javë deri në nxjerrjen e dëmeve reale. Një ditë pas tërmetit të fuqishëm, në komunat që u prekën më shumë: Gjoricë, Shupenzë, Zerqan dhe Ostren, autoritetet lokale ngritën grupet e vlerësimit paraprak të dëmeve të shkaktuara, për çdo banesë të fshatrave që ishin në juridiksion të tyre. Sipas verifikimit fillestar nga ana e këtyre komisioneve, rezultoi se numri total i shtëpive të dëmtuara rëndë, me dëmtime të mesme dhe të lehta, ishte mbi 2000 banesa në të gjithë rrethin. Vetëm para një jave, pasi mbaroi verifikimi i banesave të dëmtuara nga ana e këtyre komisioneve, mbërritën nga Tirana komisionet e ekspertëve të qeverisë, të cilët kishin për detyrë hartimin e faturës së dëmeve të shkaktuara. Aktualisht, janë pesë grupe pune që vijojnë punën në komunat: Gjoricë, Shupenzë dhe Zerqan. Burime nga këto komuna saktësojnë se deri më tani këto grupe pune kanë vlerësuar dëmet në rreth 550 shtëpi, ndërkohë që mbetet edhe një numër i madh. Duke iu referuar të njëjtave burime janë rreth 1450 shtëpi të tjera, që nuk janë vlerësuar ende. Sipas kësaj ecurie, do të duhen të paktën edhe tri javë të tjera kohë, që këto grupe pune të mund të bëjnë dhe publikojnë bilancin përfundimtar të dëmeve. Kjo vonesë ka shtuar zemërimin dhe mosbesimin e banorëve, për një ndërhyrje të shpejtë dhe në kohë të qeverisë, për zhdëmtimin e shtëpive të tyre të dëmtuara. Ramie Lika, 70 vjeç, në shtëpinë e së cilës në ditën e parë pas rënies së tërmetit bëri vizitë edhe vetë Kryeministri Berisha, thotë për "Shqip", se grupi i ekspertëve e ka nxjerrë shtëpinë të pabanueshme dhe shpreson që të dëmshpërblehet sa më shpejt nga shteti. "I kemi fëmijët e vegjël dhe moti po ftohet, nuk mund të rrimë edhe për shumë kohë në çadër", thotë e shqetësuar e moshuara. "Vetëm para një muaji nga rënia e tërmetit e rregullova shtëpinë. Shpenzova 5 deri në 6 milionë lekë të vjetra për ta suvatuar atë, por tërmeti siç e shihni e rrënoi plotësisht. Besojmë se shteti do na ndihmojë, por kjo duhet bërë sa më shpejt, pasi dimri po afron dhe qëndrimi jashtë me fëmijë është i pamundur", thotë Allaman Miftari, 49 vjeç po nga fshati Gjoricë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›