E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjedhja e pensioneve, sherri mes postës dhe ISSH-s

Dy strukturat që kontrollojnë dhe menaxhojnë ndarjen e pensioneve në qytetin e Vlorës janë kapur pa mendje nga 3 punonjës poste që kanë mundur të vjedhin, sipas prokurorisë, rreth 100 milionë lekë pensione, ndërsa dje drejtuesit e tyre kanë bërë me faj njëri-tjetrin. Drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare Vlorë, Shqiponja Korkaj, ka akuzuar ISSH se nuk ka dhënë informacion dhe se ishte ky institucion që duhej të bënte kontrollin dhe miratonte sasitë e parave që jepeshin. Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Vlorës, Kreshnik Alimerko, nga ana e tij ka përgënjeshtruar edhe pse jo drejtpërdrejt këtë deklaratë, duke thënë se përgjegjësia u takonte zyrave postare dhe se informacioni dhe komunikimi zyrtar për këtë problem nga ana e tyre ka qenë i menjëhershëm. Sipas tij, ka qenë sistemi kompjuterik i ISSH-së ai që ka zbuluar edhe problemin dhe ka sjellë edhe kapjen e zbulimin e tre personave.

Reagimi i Postës

Ndërkohë zyrtarja e postës ka qenë e ashpër me institucionin paralel, duke lënë të kuptohet se ishte faji i tyre që kjo kishte ndodhur dhe që nuk ishin kryer kontrollet. “Ne kemi pritur informacion nga ISSH, pasi është e drejta e saj të zbulojë, pasi dhe në sistemin kompjuterik të saj dalin paqartësitë për çdo zyrë postare, për çdo pensionist. Ne nuk bëjmë përpunim dokumentesh. Ne jemi vetëm në rolin e bankës, që furnizojmë këto zyra postare. Ne në fund të ditës kuadrojmë këto vlera, me çdo zyrë postare.”, ka thënë Korkaj. Ajo ka akuzuar ISSH se në rast se kjo do të kishte qenë më e shpejtë, shpërdorimi do të ishte kapur që herët dhe se nuk do të kishim këtë shkallë shpërdorimi. “Po të kishim informacion nga sigurimet shoqërore, ky fenomen do të ishte kapur që në muajin maj, që në muajin qershor. Nuk dua të akuzoj sigurimet shoqërore, por neglizhencën e punës.”- ka thënë drejtuesja e Postës Shqiptare në Vlorë, e cila njëkohësisht ka bërë një apel për të gjithë bizneset, klientë të mëdhenj të postës, por edhe për pensionistët, invalidët dhe shtresat me ndihmë ekonomike, duke i garantuar se shërbimet e Postës Shqiptare ishin të sigurta dhe se paratë e tyre do të paguheshin deri në qindarkën e fundit. “Nuk besoj që kjo të ndodhë sërish. Kam besim se për gjithë punonjësit vlen kjo që po them”, ka thënë Korkaj. Ajo ka vënë theksin në përmirësimin e ndjeshëm të punës së postës, duke thënë se pavarësisht asaj që ndodhi, është krenare për njerëzit që punojnë me të. Për rastin në fjalë, ajo ka folur vetëm për gruan e arrestuar, duke thënë se ishte një punonjëse e vjetër që gëzonte besim, por Posta Shqiptare, sipas saj, do të qëndrojë përkrah ligjit.

ISSH, problemi te punonjësja e postës

Kreu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Vlorës, Kreshnik Alimerko, në lidhje me ngjarjen, por edhe reagimet që vinin nga zyrat postare, shpjegoi fillimisht mënyrën e shpërndarjes së pensioneve, duke garantuar në radhë të parë se ISSH ka të gjitha fondet dhe mënyrat për të përballuar gjithë përfitimet e gjithë kategorive të pensioneve që shpërndahen nga zyrat postare. Ai ndërkohë ka theksuar se ka pasur neglizhencë nga ana e postës, në rastin në fjalë, ndërsa dokumentacioni nuk ishte plotësuar në rregull.“Dokumenti që përcakton të dhëna të personit, ka faqen e mbrapme që plotësohen nga personeli i postës, në mënyrë të veçantë, nga arkëtari dhe llogaritari. Mënyra e kontrollit, e shpërndarjes së pensioneve, bëhet vetëm nëpërmjet kësaj pjese. Nëse do të plotësoheshin gjithë rregullat, kolonat, nuk ka asnjë mundësi abuzimi”, ka thënë Alimerko. Ai është përgjigjur edhe për akuzën se komunikimi institucional nuk ka funksionuar dhe se rasti është kapur shumë vonë. “Absolutisht, komunikimi ka qenë zyrtar. Unë do doja të sqaroja se edhe kontrolli që ne bëjmë është i përditshëm, për të dërguar shumën e pensionit për ditën tjetër”, ka thënë Alimerko. Sipas tij, arsyet pse ky kontroll i përditshëm nuk ka zbuluar shkeljen që në fillim është se kemi të bëjmë me një rast të veçantë. “Gjithë borderotë ne i hedhim në sistem elektronik dhe ka qenë pikërisht ky sistem që ka ndihmuar në evidentimin e parregullsive që kishte në këtë zyrë”, ka thënë ai. Sipas tij, vjedhja nuk mund të kuptohej nga kontrolli i borderove me shikim të lirë. “Me sy të lirë nuk mund të arrihet të evidentohen pensionet e dubluara, apo të dhëna dy herë. Ka qenë ky sistem kompjuterik që ka bërë të mundur nxjerrjen e këtyre parregullsive”, tha Alimerko. Ai ndërkohë ka sqaruar se menjëherë sapo është kuptuar shkelja është kryer denoncimi i rastit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›