Gashi është mirë

Vegim Gashi, ish-kandidat për kryetar të Prishtinës nga Aleanca Kosova e Re, ka kaluar krizën e cila e ka rrezikuar edhe me jetë.
Ai tashmë nuk është në gjendje kome. Përpos që e ka njërën këmbë në gjips, Gashi është në gjendje të mirë shëndetësore dhe është duke u trajtuar në njërin nga spitalet e Sofjes në Bullgari, vend ky ku kishte pësuar aksident të rëndë në natën e dytë të Vitit të Ri, gjatë skijimit.
Vegim Gashi tashmë flet, ecën, merr frymë pa ndihëm e aparaturave mjekësore dhe nuk ka asnjë telashe përveç se e ka këmbën e thyer dhe të futur në gjips.
Ish-kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, më 2 janar të vitit 2010 kishte pësuar në një aksident gjatë skijimit në shtetin bullgar, me ç`rast kishte lënduar rëndë kokën dhe po ashtu kishte thyer njërën këmbë.
Se si ka ndodhur e gjithë kjo, nuk dihet, edhe pse Gashi ka qenë me familje për pushime dimërore, por që ai në kohën e aksidentit ka qenë duke skijuar i vetëm, përderisa familja e tij ndodhej në hotel.
Mimoza Kusari – Lila, zëvendëspresidente e AKR-së, ka thënë për Express se gjendja shëndetësorë e Vegim Gashit është stabile.
Sipas saj, trajtimi që i është bërë Gashit në spitalin ku ndodhet, ka qenë jashtë zakonisht e mirë.
Ajo ka treguar se moralisht janë interesuar të gjithë liderët e institucioneve të Kosovës, përveç atyre të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kusari Lila thotë se personalisht kryeministri i Kosovës është interesuar që Gashi të ketë një tretman sa më të mirë mjekësor.
“Trajtimi që i është bërë z. Gashi ka qenë sikur ai të ishte president i Bullgarisë. Të gjithë janë interesuar moralisht për t`i ndihmuar Gashit, përveç zyrtarëve të LDK-së”, thotë zv/presidentja e Aleancës Kosovare e Re.
Në kohën kur Vegim Gashit i ka ndodhur aksidenti, në Bullgari rastësisht, sipas Kusarit, ka qëlluar edhe ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala.
“Ministri Shala ka bërë gjithçka që Gashi të ketë një trajtim të mirë mjekësor”, thotë Kusari-Lila.
Edhe të gjithë ish-kundërkandidatët për garën për kryetar të Prishtinës janë interesuar për të ndihmuar përmes lidhjeve të tyre Gashin, përveç kryetarit aktual të Komunës, Isa Mustafa.
"Përveç kryetarit aktual të Komunës, të gjithë të tjerët janë interesuar për të ndihmuar në mënyra të tyre Vegim Gashin. Madje edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj”, thotë zv/presidentja e AKR-së.
Në garën e fundit për zgjedhjet komunale, Vegim Gashi ishte kandidat për Prishtinën nga AKR-ja, e drejtuar nga biznesmeni Behxhet Pacolli. Kjo parti së bashku në koalicion me Lidhjen Demokratike të Dardanisë, të drejtuar nga akademik Nexhat Daci, me Vegim Gashin si kandidat të përbashkët, fituan më shumë se 20 për qind të votave të kryeqytetasve.