E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gates: Terroristët po bashkëpunojnë mes vete

Një sindikatë e grupeve terroriste po punon për të mbjellë dhunë dhe shkatërrim në Azinë Jugore dhe India dhe Pakistani duhet të bashkëpunojnë, për të luftuar këtë kërcënim të përbashkët, deklaroi sot Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gates.

Gates, i cili këtë deklaratë e bëri gjatë vizitës së tij në Indi, theksoi se asnjë shtet nuk është imun ndaj terrorizmit.

Ai ndërlidhi militantët talebanë, të cilët veprojnë përgjatë kufirit mes Afganistanin dhe Pakistanin, me ekstremistët në radhët e organizatës Lashkar E Taiba, të akuzuar për orkestrimin e sulmeve terroriste në qytetin indian, Mumbai, në vitin 2008, duke shtuar se që të dy këto grupe veprojnë nën ombrellën e Al Qaidës.

Gates më tutje theksoi se këto grupe po tentojnë të nxisin një konflikt mes Indisë dhe Pakistanit, apo që të destabilizojnë Pakistanin. Ai më tutje kërkoi përpjekje të koordinuara të Indisë dhe Pakistanit, për të luftuar këto grupe terroriste.

Gates lavdëroi si Indinë, ashtu edhe Pakistanin, për përmbajtjen që kanë dëshmuar pas sulmeve në Mumbai, por tërhoqi vërejtjen se kjo përmbajtje mund të dëshmohet si e paqëndrueshme.

“Nuk është e paarsyeshme të vlerësohet se durimi i Indisë do të jetë i kufizuar, nëse ndodh edhe ndonjë sulm tjetër terrorist”, tha Gates.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›