E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia në “kurs të pajtimit” me Ukrainën

Presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedev, deklaroi se vendi i tij do të angazhohet për ngrohjen e marrëdhënieve me Ukrainën, hap ky i cili pason pas humbjes që pësoi në zgjedhjet presidenciale presidenti pro-perëndimor i Ukrainës.

Kumtesa se Rusia do të dërgojë ambasadorin e vet në Ukrainë, pas ngrirjes pesë-mujore të marrëdhënieve mes dy vendeve, pasoi pasi që dy kandidatë, për të cilët vlerësohet se kanë qëndrim miqësor ndaj Moskës, u rreshtuan në dy vendet e para, pas rrethit të parë të zgjedhjeve, i cili u zhvillua të dielën.

Zgjedhjet shënojnë një kthesë dramatike për Ukrainën, vend ky i cili pas revolucionit të portokalltë, në vitin 2004, u vendos në kursin e anëtarësimit në BE dhe NATO.

“Mendoj se duhet të filloni punën si ambasador në Ukrainë dhe të bëni përpjekje që të forconi karakterin miqësor të marrëdhënieve mes dy vendeve tona”, tha Medvedev gjatë takimit me Mikhail Zurabovin, i cili u emërua ambasador i Rusisë në Ukrainë.

Medvedev emëroi vitin e kaluar Zurabovin për ambasador në Ukrainë, por në gusht ai kumtoi se nuk do ta dërgojë atë në Kiev, në shenjë proteste kundër politikave anti-ruse të presidentit të Ukrainës, Viktor Jushchenko.

Jushchenko nuk arriti të kualifikohet në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në rrethin e dytë më 7 shkurt do të garojnë politikani pro-rus, Viktor Yanukovich dhe kryeministrja aktuale e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, e cila së fundi ka pasur një qëndrim më miqësor ndaj Rusisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›