Llamazares nuk pranon kërkim-faljen e SHBA-së
Një ligjvënës spanjoll ka refuzuar kërkim-faljen e SHBA-së, për shkak të shfrytëzimit nga ana e FBI-së të një fotografie të tij, me të cilin u portretua udhëheqësi i Al Qaidës, Osama Bin Ladeni.
Gaspar Llamazares, nga partia e Majta e Bashkuar, kërkoi nga SHBA-ja që të hetojë incidentin dhe të ndërmarrë masat e duhura.
“Kërkim-falja nuk mjafton”, tha ai gjatë një konference për shtyp, pasi që ambasadori i SHBA-së i kërkoi falje atij, nëpërmjet të Ministrisë së Brendshme të Spanjës.
“Dëshiroj një hetim gjithëpërfshirës të këtij rasti të turpshëm, i cili nuk nxiti vetëm brengë, por edhe indinjatë për shkak të sjelljeve të FBI-së”, tha Llamazares, duke shtuar se ai nuk e përjashton as mundësinë e aksionit ligjor.
FBI ka shfrytëzuar pjesë të fotografisë së Llamazaresit, për të krijuar imazhin e modifikuar në mënyrë digjitale të udhëheqësit të Al Qaidës, i cili u paraqit në faqen në internet të State Departmentit amerikan.
FBI që nga dalja e incidentit në sipërfaqe ka larguar nga faqja këtë imazh, por Llamazares theksoi se ai kërkon garanci se imazhi nuk gjendet më në duart e shërbimeve të inteligjencës nëpër aeroporte dhe vende të tjera.
Llamazares i ka dërguar ankesë drejtorit të FBI-së, Robert Muellerit, kryetares së dhomës së përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosit dhe ambasadorit amerikan në Spanjë, Alan Solomontit.