E Shtunë, 31 Tetor 2026

Massachusetts i jep një goditje të re Obamës

Republikanët fituan zgjedhjet për senator në shtetin e Massachusettsit, duke i dhënë me gjasë një goditje vdekjeprurëse planit për reforma shëndetësore të presidentit amerikan, Barack Obama.

Republikani Scot Brown shënoi një fitore, e cila ka shokuar dhe tronditur demokratët, duke e siguruar ulësen në senat të ikonës së demokratëve, senatorit të ndjerë, Edward Kennedy, duke i dhënë edhe një goditje tronditëse Obamës, pikërisht në njëvjetorin e hyrjes së tij në Shtëpinë e Bardhë.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Brown ka fituar 52 për qind të votave, ndërsa rivalja e tij demokrate, Martha Coakley, ka fituar 47 për qind të votave.

Coakley fillimisht kishte pritur një fitore të lehtë në këtë shtet, i cili ka votuar tradicionalisht për demokratët, por sfidimi populist i Brownit ndaj pushtetit në Washington ndikoi që gara në Massachusetts të shënojë një kthesë.

“Sonte ka folur zëri i pavarur i Massachusettsit. Votuesit mohuan të gjithë ekspertët”, tha Brown në fjalimin pas fitores së tij.

Coakley në anën tjetër theksoi se është tejet e dëshpëruar. “Por unë e di se nesër do të ngrihemi dhe do të vazhdojmë luftën. Unë ja kam uruar Brownit fitoren”, tha Coakley para ithtarëve të saj në Boston.

Më së shumti në këto zgjedhje ka humbur vetë presidenti Obama. Kur Brown të fillojë punën në senat, demokratët do të ruajnë shumicën e tyre të ngushtë në senat, por do të humbin votën e 60-të, e cila atyre do të ju mundësonte që të anashkalojnë përpjekjet e republikanëve për të bllokuar agjendën e Shtëpisë së Bardhë.

Viktima e parë e madhe, theksojnë analistët, me gjasë do të jetë pakoja e Obamës për reforma shëndetësore, e cila ka pasur vështirësi të kalojë madje edhe në senatin e kontrolluar nga demokratët.

Obama e uroi Brownin për fitoren e tij, duke theksuar se ai ka udhëhequr shumë mirë fushatën e tij, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs.

“Presidenti i tha senatorit Brown se mezi pret të bashkëpunojë me të në lidhje me sfidat urgjente ekonomike, me të cilat përballen familjet në Massachussetts dhe familjet tjera në të gjitha pjesët e vendit”, shtoi ai.

Broën, i cili do të jetë republikani i 41-të në senat, ka premtuar se do të votojë kundër reformave shëndetësore.

“Mendoj se tani mund të argumentohet se sigurimi shëndetësor është i vdekur”, tha kongresisti demokrat, Anthony Weiner.

Analistët nënvizuan fushatën e zbehtë të Coakleyt dhe dështimin e demokratëve që të kuptojnë hidhërimin e popullit ndaj Washingtonit, në kohën kur SHBA-ja po përballet me recesion.

Shtëpia e Bardhë pranoi se Obama, i cili të dielën e kaluar bëri fushatë për Coakley-t, ishte i befasuar dhe i frustruar dhe se nuk ka qenë fare i kënaqur me rrjedhën e fushatës.
Zyrtari republikan, Mitt Romney, theksoi se rezultati në Massachusetts është një paralajmërim për ndryshime të mëdha politike.

“Ky është vërtetë një referendum për agjendën e Obamës dhe mendoj se mënyra se si po punon tani Washingtoni është një qasje arrogante ndaj politikës në këtë vend”, tha Romney.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›