E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gates, vizitë e papritur në Irak: Gjithçka mirë me tërheqjen

Sekretari i Mbrojtjes,
Robert Gates, gjatë një
vizite të papritur në
Irak, deklaroi se tërheqja
e trupave amerikane nga
zonat urbane po zhvillohet në
qetësi, ndërsa forcat vendase
po marrin pak nga pak në dorë
situatën nën kontroll. "Askush
nuk është shefi i madh ose
pushtues, apo sido që të na
quani. Ne po i lemë zonat urbane
në Irak dhe ky operacion
do të përfundojë sipas afatit të
paracaktuar, pra 30 korrikut",
ka deklaruar Gates. Ky largim
shënon një moment kyç në
planin e largimit të trupave
amerikane nga Iraku, vend ku
ato hynë në mars të vitit 2003.
Largimi përfundimtar i tyre do
të përfundojë në vitin 2011.
Deri tani irakianët janë ende të
frikësuar në lidhje me mënyrën
se si do të funksionojnë organet
policore të udhëhequra vetëm
nga vendasit. Ka nga ata që
presin një situatë kaotike pas
kësaj dhe shtim të dhunës,
ndërsa të tjerë janë të bindur
që gjithçka do të shkojë sipas
parashikimeve. Sipas Gates,
situata në Irak është tërësisht
e ndryshme nga ajo që ai gjeti
në vizitën e fundit në vitin 2006.
Në këtë vit, që konsiderohet si
ndër më të përgjakshmit, çdo
ditë nëpër rrugët e qyteteve të
vendit shpërthenin autobomba
e kamikazë që merrnin qindra
jetë civilësh në javë. Gates u
takua me Kryeministrin dhe
Presidentin e vendit. Ai do të
vizitojë edhe rajonet e kurdëve
në veri të vendit. Gates deklaroi
se forcat amerikane në veri
të Irakut do të vazhdonin që
të luanin një rol të rëndësishëm
në ruajtjen e stabilitetit.
Kurdistani mbajti zgjedhjet
parlamentare dhe presidenciale
fundjavën e kaluar. Gates
shpreson që të ngrejë një urë
dialogu mes Presidentit amerikan,
Obama, dhe Presidentit
irakian, Al Maliki, në mënyrë që
të dyja vendet të kenë një lidhje
sa më normale gjatë dhe pas
largimit të trupave amerikane
nga vendi. Amerikanët parashikojnë
edhe një shitje armësh
në Irak, si për shembull avionë
F-16. Autoritetet irakiane kanë
shprehur interesin e tyre për të
bërë këto blerje, në mënyrë që
në vitin 2020 të kenë 96 avionë
të tillë. E gjithë kontrata e
shitjeve pritet të ketë një vlerë
prej 9 miliardë dollarësh. Ndër
vendet që i kanë shitur armë
Irakut janë edhe Franca, Kina
dhe Rusia, të cilat shpresojnë
që në të ardhme të vazhdojnë
shitjen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›