E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Regina”, boshnjakët me një himn dashurie në Moskë

 

ALMA MILE

Pas lufte u bashkuan sërish, por jo për të qarë mbi atë që ndodhi, por për t’i kënduar dashurisë. Për të vijuar atë rrugë që kishin nisur në vitin ’90, kur edhe grupin vendosën ta quanin me emrin e të dashurës së njërit prej tyre, “Regina”. Ndërsa na ndan edhe fare pak kohë nga Festivali Evropian i Këngës që këtë vit zhvillohet në Moskë, grupi muzikor, që përfaqëson Bosnjë-Hercegovinën në këtë ngjarje, ka nisur turin promovues. Mbrëmjen e së shtunës katër djemtë e bandës ishin në Tiranë, për të prezantuar edhe publikun shqiptar me këngën e tyre.  Titullohet “Bistra voda”- “Ujë i kthjellët” dhe sipas tyre është një himn dashurie. Përveç ritmeve të marshit luftarak, këtë ata e kanë paraqitur edhe në videoklipin e tyre, ku shfaqen të veshur me rroba ushtarake. Pasi kënduan këtë këngë, por edhe të tjera të repertorit të tyre në “Charl’s Bistro”, djemtë pretendojnë të kenë fituar simpatinë e shqiptarëve. Ndërkohë kanë dëgjuar edhe këngën shqiptare. Për Kejsi Tolën thonë se është e këndshme dhe shumë e re. “Por kështu kemi qenë edhe ne kur kemi filluar”, - thonë ata. Në një intervistë, ata tregojnë për këngën e tyre, konkurrimin në Moskë, por gjithashtu gjejnë rastin për të hedhur poshtë disa akuza serbe, sipas të cilave kënga e tyre është e “vjedhur”. 
Përfaqësoni vendin tuaj në Festivalin Evropian me një këngë, që duket si një marsh lufte, gërshetuar me muzikën etnike…
Grupi ynë është krijuar rreth 20 vjet më parë dhe këtë vit na u dha mundësia të përfaqësojmë Bosnje Hercegovinën në Festivalin Evropian që zhvillohet në Moskë. Kënga jonë nuk është tipike për Eurovision. Është një lloj himni dashurie dhe ne jemi ushtarë të dashurisë. Kjo kuptohet edhe në videoklipin tonë, në mënyrën si jemi veshur.
Çdo të thotë “Bistra voda”?
“Bistra voda” do të thotë “Ujë i pastër”, ashtu si dashuria, që është e pastër dhe e qartë. Megjithatë, ngjyra që mbizotëron në videoklip është e kuqja, pasi ajo është ngjyra e dashurisë.
Në Shqipëri kënga që na përfaqëson në “Eurovision”, zgjidhet me anë të një konkurrimi kombëtar, por ju si u zgjodhët?
Edhe ne kemi një konkurrim kombëtar, por nuk është një formën e një spektakli televiziv. Ne paraqitëm këngën atje dhe një juri prej 7 vetësh, vendosi që kënga jonë të jetë fituese. Dhe ja ku jemi këtu. Por jo vetëm në Shqipëri, kemi qenë në Turqi, do të shëtisim vendet e rajonit, do të prezantojmë këngën tonë nëpër spektakle televizive, po zhvillojmë takime me gazetarë, etj.
Mendoni se e keni fituar votën e shqiptarëve?
Kënduam mbrëmë në pub dhe pritja ishte shumë e mirë, kështu që, pse jo? Ashtu siç uroj që të gjithë ballkanasit të votojnë këngëtaren shqiptare, Kejsi Tola..
E keni dëgjuar këngën shqiptare, ç’mendoni për të?
Po, po e kam parë në you tube. Ajo është e këndshme dhe shumë e re. 15 vjeçe apo jo? Kam dëgjuar prej njerëzve që ajo është shumë e re dhe nuk do të mundet, por përse jo. Edhe ne ishim shumë të rinj, kur filluam të këndonim 18 vjet më parë. Ishim rreth 17-vjeçarë.
Për shkak të luftës Bosnje Hercegovina ka kaluar një periudhë të vështirë, si u reflektua kjo në karrierën tuaj muzikore dhe në krijimet tuaj?
Lufta na ndau. Disa qëndruam në Sarajevë, të tjerët shkuan në Beograd. Por kjo nuk na shqetësoi aspak, sepse ne nuk jemi njerëz që merremi me politikë, ne jemi muzikantë dhe synimi ynë është të jemi një urë komunikimi mes Serbisë, Bosnjës, Kroacisë…, pra gjithë rajonit, pa përjashtim. Ne jemi një shembull që muzika lidh njerëzit, pavarësisht ngjyrave, kombësive, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë botën. Ne jemi muzikantë dhe i këndojmë dashurisë. Politika dhe lufta, nuk na interesojnë. Tanimë jemi të lodhur prej saj dhe nuk mendojmë më për të.
Jeni akuzuar se kënga juaj është e vjedhur nga një autor serb, cila është e vërteta?
Mendojmë se kënga jonë është më e bukura e rajonit dhe kemi një problem me një anëtar të qeverisë së Serbisë. Ai pretendon se është bashkautor i muzikës së këngës sonë. Por kjo nuk është e vërtetë. I vetmi kompozitor i këngës është Aleksandër Çoviç, që është edhe autori i këngës. Kjo është vetëm një përpjekje e tij për të bërë publicitet, për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Por në të njëjtën kohë, na shërben edhe ne, sepse edhe një publicitet i keq, është gjithsesi publicitet. Për ne është gjë e mirë.
Ç’përfaqëson për karrierën tuaj, pjesëmarrja në “Eurovizion”?
Për ne është një mundësi shumë e mirë, që përfaqësojmë vendin tonë dhe do të donim ta përfaqësonim sa më mirë, por në të njëjtën kohë është edhe një mundësi për grupin tonë, për të bërë të njohur muzikën tonë.
E shihni veten fitues të festivalit? I druheni klaneve të votimit?
Pse jo. Siç e thashë nuk është një këngë tipike, për “Eurovizion”, por është një këngë shumë e bukur, e cila është pëlqyer nga njerëzit. Sa për klanet flitet gjithnjë për ta, por nuk na shqetëson.

Të rinjtë e suksesshëm

“Regina” filloi të ekzistojë kur tre të rinj, Aco, Bojan dhe Denis vendosën të ngrenë një grup muzikor, në një garazh të Sarajevës në vitin 1990. Menjëherë u vunë në kërkim të një këngëtari të talentuar dhe pasi u lidhën me Davor Ebner, grupi publikoi albumin e parë. Shumë shpejt fama e tyre i kaloi kufijtë e Sarajevës dhe u bënë të njohur në gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Nisën koncertet e mëdha, turnetë dhe albumet i zunë vendin njëri-tjetrit. Gjatë viteve të luftës grupi u nda. Deri në vitin 2006, kur ata u ribashkuan anëtarët e grupit vijuan karrierën solistike. Menjëherë ata rifituan
popullaritetin e dikurshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›