Jeta në dy kohë e Agron Balës
Botëkrisja e parë ishte ajo fletëthirrje për në fshatin malor B. Të tjerat erdhën me radhë. Deri sa mbushi 25 vjeç kishte jetuar në një botë të rrejshme, i rrethuar nga njerëz me maska të kuqe, ku edhe ai vetë kishte maskë. Martin Kreka është një nga ata shumë të rinj që jetuan jo thjesht në dy kohë, por në dy jetë. Për gazetarin dhe publicistin Agron Bala, nuk ishte e vështirë për ta ndërtuar portretin e këtij të riu, që nisi të zbulonte jetën në fillim të viteve ’80. I mjaftoi të shihte brenda vetes, apo të hedhë një vështrim në gjithë brezin e tij. “Jetë në dy kohë” titullohet romani i gazetarit Agron Bala, i cili sapo ka dalë në libraritë e kryeqytetit. Një botim i shtëpisë “Ombra GVG”, e cila është munduar të shprehë grafikisht, qysh në kopertinë idenë e autorit për dykohësinë, maskën dhe shpirtin. Teksa e kemi parë gjithnjë në rolin e gazetarit, të njeriut që të vendos me “shpatulla pas murit” me pyetjet e tij, Bala e vendos veten në një tjetër pozicion. Në atë të shkrimtarit. “Nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi e pasurojnë”, - thotë ai, ndërsa numëron vite të tëra në botën mediatike, në komunikim të drejtpërdrejtë me njerëzit. Si një njeri i rritur me librin, që i ka pasur sprovat letrare që në moshë shumë të re, Agron Bala nuk është rishtar në fushën e letrave. Një “shuplakë” e hidhur e marrë që me vëllimin e parë, ia theu guximin krijuesit të ri, që vendosi të mos botojë më. Sepse për të shkruar nuk ndali. “Jetë në dy kohë” është romani i tij i tretë, por i pari i botuar. Kishte kohë që ishte shkruar brenda tij. “E kam shkruar brenda një muaji dhe nuk i jam rikthyer për së dyti. Ishte një akumulim shumë i madh, i cili priste të “villej””, - thotë Bala. Ngjarjet e romanit të tij zënë fill në fillim të viteve ’80. I është referuar një djali “Blloku”, pinjoll i një prej anëtarëve të Komitetit Qendror të Partisë, i cili emërohet si mjek në një fshat të thellë malor, i shquar për burgun dhe të burgosurit që punonin në minierë. Mes mizerjes së fshatit, realitetit të vërtetë shqiptar, Martin Kreka fillon të zbulojë veten, të atin, idealet e gënjeshtërta, njerëzit e thjeshtë. Aq më tepër kur ai, djali i shokut Kreka, do të vendosej në pozicionin e atyre mjeranëve, të ngujuar në ndërtesën e ndriçuar, që shihte çdo ditë nga ambulanca ku punonte. Ai pa të shndërrohej servilizmi në dhunë. Në këtë shembje botësh, jeta e Martinit ngjyroset me pak bojë “rozë” nga dashuria e tij për Lidën, vajzën që la në Tiranë dhe Diellën, malësoren shtatlartë, gardianen e burgut në fshatin B. “Martini nuk është një individ i veçuar. Ai është një brez i tërë të rinjsh, me ëndrra të mëdha. Ai është përfaqësues i brezit tim. Na kanë quajtur “brez i humbur”, por që në të vërtetë në fillim të viteve ’90, kur është edhe epilogu i romanit, dolëm shumë të pasuruar”, - thotë autori. Agron Bala pranon se qëllimi i tij nuk është të pasqyrojë atë kohë. Nuk është një libër që të tregojë për regjimin. “Është një luftë karakteri, për të qenë individ në një shoqëri të ndrydhur, në kushte ekstremisht të vështira, madje edhe në atë vend ku njerëzit e shohin diellin vetëm një orë në ditë. Në atë kohë kur çdo gjë ishte e përcaktuar, kur njeriu nuk kishte asgjë në dorë, e vetmja gjë që mbetej deri diku e paprekur ishte shpirti”, - thotë ai, ndërsa nxiton të theksojë se nuk është një libër me kujtime burgu. Tanimë që libri ka dalë në treg, ai nuk e di se si do të pritet. Ishte hezitimi i tij i madh, por më në fund e tha ç’i vlonte përbrenda. E ndërkaq po punon për romanin e tij të katërt. al.mi