E Shtunë, 31 Tetor 2026

Matura, 4 mijë lekë për marrjen e testit të korrigjuar

05/07/2011  Diplomat e maturës do të ndahen pas 12 korrikut, ndryshimet që do të përmbajë e shtresat që e marrin të parët

Procedurat për dorëzimin e kërkesës. Rreth 4 mijë maturantë aplikojnë për jashtë vendit

Maturantët kanë të drejtë të kërkojnë një kopje të testit të korrigjuar si në lëndën e matematikës, ashtu dhe për atë të letërsisë. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit pohojnë se sipas procedurave të përcaktuara në rregulloren e provimeve këta kandidatë kanë të drejtë të tërheqin një kopje të testit të vlerësuar kundrejt një tarife të caktuar financiare. Fillimisht maturantët duhet t’i drejtohen shkollës së mesme, ku kanë dhënë provimin për të dorëzuar një kërkesën për tërheqjen e një kopjeje testi të korrigjuar. Por për të legjitimuar këtë kërkesë ata duhet të paguajnë koston financiare prej 400 lekë të reja. Në këto kushte, për të marrë kopjen e secilit test si për provimet e detyruara, ashtu dhe ato me zgjedhje,për të verifikuar pikët që janë vënë gjatë korrigjimit maturanti duhet të derdhë këtë shumë. Pas mbledhjes së kërkesave të bëra nga maturantët drejtuesit e shkollës i përcjellin ato më pas në drejtoritë arsimore, të cilat do t’i çojnë pranë AKP-së, ku ndodhen dhe testet e vlerësuara. E njëjta rrugë do të ndiqet edhe për dërgimin e kopjeve të testeve pranë shkollave, çka do të thotë se maturanti duhet të interesohet pranë shkollës së tij për të mësuar afatet se kur mund të paraqitet për të marrë kopjen e testit të vlerësuar.

Vlerësimet

Aktualisht po vijon puna për vlerësimin e testeve me zgjedhje që u zhvilluan më 30 qershor. Përgjigjet e këtyre të fundit pritet të dalin në një kohë më të shpejtë, duke i hapur udhë kështu plotësimit të diplomave që konfirmojnë dhe mbarimin e shkollës së mesme. Ndarja e këtyre diplomave pritet të nisë pas datës 12 korrik, ndërkohë që të parët që do pajisen me to janë kandidatët që kanë kërkuar të ndjekin studimet e larta jashtë vendit. Në total sipas evidencave të zbardhura nga strukturat arsimore, rezulton se rreth 4 mijë kandidatë kanë aplikuar për një të drejtë studimi jashtë vendit. Largimi i këtyre maturantëve krijon më shumë hapësira studimi për ata kandidatë që në fazën e parë nuk do të shpallen fitues. Sipas rregullores edhe për këtë vit pranimet do të realizohen me një raund, çka do të thotë se vendet që do të mbeten bosh nga faza e parë e regjistrimeve do të mbulohen nga ata maturantë që ndodhen më pranë pragut fitues.

Si do jetë diploma e re?

Kreu i arsimit parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu, ka pohuar gjatë ditës së djeshme se diplomat e maturës do të fillojnë të shpërndahen pas 12 korrikut, kohë kur do të bëhet dhe publikimi i rezultateve të provimeve me zgjedhje. Tashmë është hartuar edhe formati i ri i këtij dokumenti, i cili nuk do të jetë vetëm në gjuhën shqipe, por dhe në anglisht për t’u dhënë më shumë rëndësi, sikundër mund të përdoren edhe në rastet kur maturantët do të shkojnë jashtë vendit. Ky dokument në përmbajtjen e tij do të ketë gjeneralitetet përkatëse të nxënësit, si dhe konfirmimin se ka mbaruar studimet e mesme në shkollën përkatëse. Ndërkohë bashkangjitur diplomës do të jetë edhe suplementi i notave, ku evidentohen të gjitha rezultatet e arritura nga maturanti gjatë katër apo pesë vjetve të shkollimit për të gjitha lëndët. Njëkohësisht në përmbajtje të këtij suplementi do të shënohen edhe rezultatet e arritura në katër provimet e detyruara të maturës 2011. Të dyja këto dokumente do të kenë elemente të veçanta sigurie, në mënyrë që të jenë të pafalsikueshme, ndërsa lëshimi i tyre nuk do të bëhet më pranë drejtorive të shkollave, por nga kreu i Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›