Gati konflikti i ri mes NATO-s e serbëve për rrugët në Veri
KFOR dërgon urdhrin te serbët, ata kërcënojnë për pasoja të rënda.
Një konflikt i ri ka nisur në Veri të Kosovës mes forcave të KFOR-it dhe serbëve të komunave veriore kosovare, pas paralajmërimit të NATO-s se rrugët alternative do të mbyllen. Koloneli Adolf Kondat, komandat i forcave të KFOR-it në Veriun e Kosovën, të premten u ka dorëzuar porosinë e komandantit të KFOR-it, Erhard Dreus, të ashtuquajturve kryetarë të komunave të Veriut të Kosovës, si dhe kryetarit të qarkut të Mitrovicës. Porosia thekson se nga komanda e NATO-së në Napoli ka arritur një urdhër që të mbyllen të gjitha rrugët alternative në Veriun e Kosovës. Reagimi i liderëve të strukturave paralele serbe ka qenë i ashpër dhe duket se po nxit sërish konflikt me paqeruajtësit ndërkombëtarë. Kryetari ilegal i Mitrovicës, Kërstimir Pantiç, tha se popullata serbe në veri është e vendosur që të mos e lejojë KFOR-in të mbyllë këto rrugë. Pantiç tha se iniciativa të tilla të KFOR-it nuk shkojnë në drejtim të qetësimit të situatës, por këto tensionojnë edhe më shumë gjendjen me mundësi të krijimit të pasojave shumë të rënda në Veriun e Kosovës. Serbët nuk do të pranojnë kurrë mbylljen e rrugëve alternative. Nëse ndodh kjo, qytetarët serbë përsëri do të dalin në barrikada dhe do të bllokojnë të gjitha rrugët, por kësaj radhe bllokimi i rrugëve nuk do të jetë vetëm për EULEX-in, por edhe për KFOR-in, ndaj nuk do të këtë liri të lëvizjes, tha Pantiç. Ndërsa nacionalisti tjetër, një prej liderëve të strukturave paralele serbe, Marko Jakshiç, tha se është e dhimbshme që në tërë këtë skenar është përfshirë edhe xhandarmëria serbe e ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç, pasi sipas tij, bllokimi i rrugëve është çështje e xhandarmërisë së Serbisë. Paralajmërimi i KFOR-it nuk është i mundshëm, sepse askush nuk ka të drejtë tu ndalojë qarkullimin e lirë serbëve në Veri. KFOR-i ndoshta ka një dëshirë të tillë, por që nuk është e realizueshme, tha ai.
Thaçi komenton vizitën nga SHBA-ja: Beogradi gënjen serbët
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për VOA, e cilësoi vizitën e tij në SHBA si një konfirmim për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve. I pyetur për dialogun me Serbinë, Thaçi u shpreh i vetëdijshëm për skepticizmin mes politikanëve kosovarë, por theksoi se Kosova do të përfitojë nga marrëveshjet, edhe pse ato nuk janë më të mirat e mundshme. Ka pasur skepticizëm për Rambujenë, për bisedimet e Vjenës, për procesin e bisedimeve, por marrëveshjet kanë qenë pozitive. Nuk kanë qenë më optimalet, por kanë qenë në interesin e popullit të Kosovës, tha Thaçi. Sa për Veriun e Kosovës, Kryeministri Thaçi e ka hedhur poshtë mundësinë e një statusi special, dhe u shpreh kundër ndryshimit të kufijve në rajon. Në një tjetër takim në Qendrën Ndërkombëtare për Studimet Strategjike, në Uashington, Thaçi tha se Serbia vazhdon të gënjejë pakicën serbe të Kosovës, me mundësinë e ndarjes së vendit.
Hetim Pacollit
Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën ligjore ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, për konflikt interesi me rastin e nënshkrimit të memorandumeve në Nigeri, si përfaqësues i kompanisë Seagas. Procedura u bazua në raportet e gazetës Koha Ditore, të publikuara javën e kaluar. Hasan Preteni, drejtor i Agjencisë, tha se pasi të përfundojë e gjithë procedura, atëherë ai mund të flasë publikisht për rastin, për shkak se me ligj zyrtarëve të Agjencisë u imponohet të mbajnë të fshehura informacionet gjatë hetimit. Ky hetim mund të rrezikojë aspiratat e z. Pacolli për të garuar sërish si President.
