Gati legalizimi i 400 banesave në zonën e ish-kënetës në Durrës

Të paktën 400 familje që banojnë në lagjen e re të ish-kënetës në Durrës pritet të pajisen me certifikatën e legalizimit të banesave të tyre, 10 ditë pas pagesës së taksës së pronësisë. “Ky është grupi i parë i banesave informale që legalizohen në qytetin e Durrësit”, tha drejtori i degës së ALUIZNI-it në qarkun e Durrësit, Andi Lila. Ai sqaroi se 400 familje të cilat kanë shlyer pagesat e taksave të ndikimit në mjedis si dhe atë të infrastrukturës do të pajisen gjatë kësaj jave me formularin e pagesës së taksës së pronësisë. Ligji parashikon dorëzimin e certifikatës së pronësisë brenda 10 ditësh për të gjitha familjet që shlyejnë këtë pagesë, akti i fundit i procesit të legalizimit. Banesat që presin të legalizohen në zonën e ish-kënetës ndodhen në parcelën prej 50 ha, në të cilën procesi i legalizimit, integrimit dhe urbanizimit është mbështetur edhe nga shoqata Co-Plan. “Mbi 80 për qind e familjeve që presin të legalizohen ditët e ardhshme kanë deklaruar sipërfaqe ndërtimi deri në 300 metra katrorë, të cilat sipas ligjit kanë një vlerë fikse prej 400 mijë lekë, ndërsa familjet që kanë zënë troje me sipërfaqe deri në 700-800 metra katrorë do të kryejnë tepricën e pagesës sipas çmimit të tokës në hartën përkatëse të vlerës”, sqaroi më tej ai. Drejtori Lila tha se në të gjithë territorin i ish-kënetës në veri të Durrësit janë ndërtuar dhe presin të legalizohen 8860 banesa, ndërsa numri i përgjithshëm i banesave informale të deklaruara në qytetin bregdetar arrin në 14.600. ...