E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati lirimi i ish-komisar Didës

25/11/2004  Ilirjan Dida ka gjasa të lirohet. Procesi në ngarkim të tij dhe bashkëpunëtorëve të tjerë gati në të "shfryrë". Erion Qerja, i vetmi ndër të arrestuarit që dëshmoi para prokurorëve për gjobëvënien, ka ndryshuar thëniet. 24-vjeçari përbënte fijen e vetme ku mund të mbështetej organi i akuzës. Tashmë, i kanë mbetur në dorë ato pak përgjime. Por, mbrojtja nuk i ka njohur si prova për të fajësuar ish-komisarin e Beratit.

Dëshmia

Veç gjendjes së rëndë shëndetësore, duket se Ilirjan Didës kësaj radhe po i buzëqesh dhe fati. Burime të rezervuara nga Prokuroria bëjnë të ditur se, ish-komisari i Beratit mund të fitojë lirinë nga një çast në tjetrin. Shkas për shfryrjen e procesit është bërë i vetmi i arrestuar që pranoi akuzën. Erion Qerja nga Berati dëshmoi para grupit hetimor se është shtyrë nga Dida për të gjobitur baxhanakun e tij, Fatos Hamzallarin. Të njëjtat burime saktësojnë se i riu nga qyteti-muze, dëshmoi se ai do të merrte një pjesë të konsiderueshme të 100 mijë eurove që do t'i merreshin biznesmenit. Paskëtaj, ai shtoi se ishte detyruar sërish nga Ilirjan Dida për t'i vënë zjarrin pronës së Hamzallarit. Këto pohime të dala nga goja e një prej të arrestuarve ishin një ndihmë e madhe që i jepej grupit hetimor. Dëshmisë i bashkangjiteshin dhe ato pak shirita përgjimesh. Kësisoj, hetimet mbi këtë dosje konsideroheshin se kishin marrë rrugë të mbarë. Por, atëherë, kur organi i akuzës gatitej të niste procesin, situata ndryshoi kryekëput.

Ndryshimi i thënieve

"Nuk është e vërtetë që Ilirjan Dida më ka detyruar që të kërcënoj Fatos Hamzallarin. E gjithë historia që dëshmova ditën e arrestimit tim është një skenar i përgatitur nga unë. Nuk ka asnjë bazë reale ku mund të mbështeteni ju për të vijuar hetimet. Këto pohime që po them tani, të jeni të sigurtë se do t'i përsëris dhe në sallën e gjyqit", këto ishin fjalët e Erion Qeres që rrëzuan në pak sekonda hetimet mbi dosjen "Dida". Të njëjtat burime nga Prokuroria shtojnë se, kësisoj, ra e vetmja dëshmi në ngarkim të gjobëvënësve. Provat e tjera që posedohen nuk mund të merren në konsideratë. Ato janë në kuadrin e përgjimeve të shkëputura, që avokatët e të pandehurit Ilirjan Dida nuk i kanë njohur si prova për ta dënuar të arrestuarin. Për t'i dhënë kohë vetes që ta nxjerrin totalisht të pafajshëm klientin e tyre, mbrojtja ka kërkuar gjithashtu ndryshimin e masës për Didën. Ish-komisari është në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Burgut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›