E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruci: Aleatët të thonë kush ministër duhet të ikë

25/11/2004  Socialistët u kanë kërkuar aleatëve të tyre të paraqesin emra konkretë se cilin ministër duhet të ndryshojnë. Në qëndrimin e dhënë nga Gramoz Ruçi, PS shprehet se, deri më tani, nuk është dhënë një platformë e qartë bashkëpunimi nga aleatët e "Koalicionit për Integrim", por janë dhënë vetëm ultimatume në media. Ndaj, ai i ka qëndruar mendimit të dhënë nga Fatos Nano se do të jetë analiza e vjetore e punës në ministri, që do të vendosë për lëvizje të emrave.

Kërkesa

"Nëse aleatët kanë propozime konkrete, të na i thonë në tryzë dhe jo nëpërmjet mediave", deklaroi sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi. Numri dy i selisë socialiste i ka ftuar aleatët të bashkëpunojnë më PS-në, pasi asnjë ndryshim, që synon fitoren e koalicionit në zgjedhjet e 2005, nuk mund të bëhet me kërcënim dhe ultimatume. Duke iu referuar deklaratës së aleatëve për ndryshime brenda 15 dhjetorit, Ruçi tha se "debatet për ndryshim, PS-ja i sheh në funkion të forcimit të mazhorancës dhe fitores në zgjedhjet e ardhshme. Deri tani kam dëgjuar punë gjelash dhe punë datash, ndryshimet nuk bëhen as me gjela dhe as me data". Ruçi ka kërkuar gjithashtu nga aleatët e PS-së të paraqesin emra konkretë për ndryshimet në qeveri. Sipas tij, "aleatët nuk kanë një filozofi ndryshimesh për emra të përveçëm dhe se çfarë risie sjell". Duke komentuar këtë qëndrim të aleatëve të vegjël të PS-së në "Koalicionin për Integrim", si një lojë politike, sekretari i Përgjithshëm shprehet se "ato janë parti poltitike dhe partitë për këtë gjë janë, të marrin sa më shumë pushtet". Sipas tij, kërkesat e tyre vijnë në kohën kur PS-ja ka sakrifikuar gjithmonë pushtet për të ndërtuar shtet, ndërsa të vegjlit kërkojnë gjithmonë pushtetin. Megjithatë, dhe një herë socialistët janë shprehur se ndryshimet do të shihen vetëm pas përfundimit të analizave në ministri. Në fund të vitit, Nano do të ndërmarrë analizën e punës në të gjithë nivelet, si në atë qendror dhe në nivele të dyta dhe të treta.

Buxheti

Lidhur me presionin, që aleatët i bëjnë mazhorancës se "nuk do të mbështesin miratimin e buxhetit të shtetit për 2005, në rast se PS-ja nuk i përgjigjet kërkesave të tyre", Ruçi shprehet se votat e aleatëve dhe jo aleatëve të tjerë për buxhetin është për Shqipërinë dhe shqiptarët". Ndërkohë që nga ana tjetër për aleatët buxheti ngelet shansi i fundit për të marrë një vend në kabinetin qeverisës. Gjithsesi, deklaratat për votat kundër kalimit të projektbuxhetit nga Ruçi është cilësuar një paradoks. Pavarësisht ultimatumit të aleatëve, Ruçi miratimin e projekbuxhetit të shtetit e cilëson të parrezikuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›