Pack: Kosova më para se Shqipëria
25/11/2004 Komisionerja e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Doris Pack, ka hedhur një tjetër kritikë për Shqipërinë. Ndërsa deklaratat e Shqipërisë theksojnë hapa pozitivë në integrimin në BE, Pack thotë se vendi ynë është tepër mbrapa, madje tashmë Shqipërinë e ka kaluar dhe Kosova. "Shqipëria nuk është një vend i dalë nga ndonjë konflikt i armatosur si ai i Kosovës, dhe ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit", është shprehur dje Doris Pack. Politika kosovare, sipas saj, është e impenjuar në këtë proces, ndërsa politika e Tiranës vazhdon të ketë vështirësi në arritjen e marrëveshjeve të domosdoshme mes forcave politike për të arrituar përshpejtimin e reformave të vendosura nga Brukseli si kushte për integrimin në strukturat euroatlantike. Në këtë mënyrë, dhe një herë është vënë theksi në mosfunksionimin e diskutimeve mes pozitës dhe opozitës, ndërsa dhe konfliktet e mazhorancës shpesh janë cilësuar si një pengesë në zhvillimin e reformave që kanë të bëjnë me procesin e integrimit në BE. Doris Pack është komisionerja e përfshirë në të gjitha takimet për Shqipërinë dhe rajonin tonë. Madje, dhe në ndryshimin e fundit për përbërjen e komisionit të BE-së për Ballkanin, Pack ka marrë besimin e plotë. Ndërsa deklaratat e saj kanë rezultuar me ndikim të plotë në vendimet e BE-së. Ka qenë pikërisht këmbëngulja e saj që solli në verën e vitit 2002 miratimin e një Presidenti konsensual. Deklarata e Pack vjen në kohën kur Shqipëria do të nisë diskutimin e radhës me Bashkimin Evropian për reformat e kryera.