E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interpol, seminar në Tiranë

25/11/2004  ICPO dhe Zyra Qendrore e Interpol Tiranës organizuan dje seminarin me temë “ICPO e Z.Q.K. Interpol Tirana, një urë për shkëmbimin eficent të informacionit policor ndërkombëtar”. Të tillë syresh janë zhvilluar më parë në Maqedoni, Bosnje– Hercegovinë, Serbi–Mal i Zi dhe në Kroaci. Qendra e seminarit ishte finalizimi i fazës së parë të projektit CARDS, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i konkretizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit për sistemin global të telekomunikacionit. Merrnin pjesë ministri i Rendit Publik, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, përfaqësues nga misionet e huaja të atashuara në vendin tonë, drejtorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e të atyre në qarqe. Kreu i Interpol-Tirana u shpreh entuziast ndaj ndihmës që ambasadori Saltzman ka dhënë për policinë shqiptare. Artan Bajraktari shtoi se tendenca e globalizmit ka sjellë ndryshime në konceptet hapësirë dhe kohë, duke shkurtuar distancat. "Bota sot është më e hapur, dhe për rrjedhojë, ka ndryshuar dhe shkalla e sofistikimit të krimit, sidomos atij të organizuar, i cili po tregon tashmë se nuk i njeh më kufijtë gjeografikë", theksoi komisari i Interpolit, duke shtuar se për një efiçensë të punës kërkohet vetëm komunikim, pa të cilin nuk ka informacion. Pas Bajraktarit e mori fjalën ministri i Rendit. Igli Toska u shpreh se, zyra e Interpol Tiranës mund të konsiderohet, aktualisht, në nivelin bashkëkohor të teknologjisë së shkëmbimit të informacionit. "Lufta e vazhdueshme me krimin e organizuar në të gjitha format e tij, trafiqet e paligjshme, droga, qeniet njerëzore, pastrimi i parave dhe identifikimin e personave në kërkim nga drejtësia, nuk mund të arrihen pa një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar si dhe një shkëmbim të shpejtë të të dhënave informative", tha Toska, duke shtuar më tej se Shqipëria është drejt procesit të prodhimit të sigurisë, e jo më thjesht një konsumator i saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›