E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA jep 400 mijë dollarë për regjistrimin e popullsisë

24/11/2004  Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akorduar dje një fond prej 400.000 dollarë, në formën e donaciont për dixhitalizimin e hartave të qyteteve kryesore të Shqipërisë. Me këtë rast, ambasadorja e SHBA, Marcie Ries, tha se qëllimi i këtyre hartave është të ndihmojnë në procesin e hartimit të listave të sakta të votuesve për zgjedhjet e ardhshme kombëtare. "Hartat e hollësishme duhet ta bëjnë procesin e përditësimit të listave të votuesve më të lehtë dhe më të efektshëm. Përdorimi i hartave duhet të kontribuojë gjithashtu edhe për saktësinë e listave. Ato do të çojnë përpara edhe procesin e emërtimit të adresave për qytetarët. Në të ardhmen, ato mund të jenë të dobishme edhe për planifikimin urban", tha Ries. Megjithatë, ajo kërkoi që qytetarët të bëjnë pjesën e tyre duke u regjistruar për të votuar dhe duke bashkëpunuar me përpjekjen e Ministrisë së Pushtetit Vendor për të shkuar derë më derë. Sipas Ries, "zgjedhjet parlamentare të vitit 2005 janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në qoftë se do të zhvillohen në mënyrë të lirë dhe të ndershme, ato do të forcojnë institucionet demokratike dhe do të përforcojnë aspiratat e Shqipërisë për integrimin euro-atlantik". Nga ana e tij, Blushi falënderoi ambasadoren e SHBA-së dhe shtoi se ky kontribut financiar prej 400 000 dollarë vjen si një përgjigje e shpejtë pas një bisede të zhvilluar me ambasadoren rreth 10 ditë të shkuara. "Ky kontribut lehtëson procesin, parapërgatitor të zgjedhjeve të vitit 2005. Shpresojmë që nëpërmjet IFES, një institucion që operon prej disa vitesh në Shqipëri, qytetet kryesore, të cilat kanë pësuar ndryshimet më të mëdha demografike territoriale për shkak të ndërtimeve të mëdha, do të kenë mundësi që në një kohë sa më të shkurtër të pajisen përmes këtij fondi, me hartat e domosdoshme të dixhitalizuara, gjë që në funksion të zgjedhjeve, mbi të gjitha, e vë në një raport shumë më të drejtë qytetarin me godinën", tha Blushi. Ministri konfirmoi se për procesin e regjistrimit të shtetasve, raporton se mbi 90% e grupeve të identifikimit janë në terren për të verifikuar derë më derë shtetasit, duke i lehtësuar transfertat e pakryera në rreth 12-13 vitet e fundit. Gjithashtu, ai konstatoi se të gjitha organet e qeverisjes vendore, bashki apo komuna, pavarësisht nga flamujt politikë, po i përgjigjen me shumë impenjim kësaj fushate të rëndësishme të regjistrimit të shtetasve dhe besoj që kjo është premisa kryesore për të përfunduar me cilësi dhe në afate, brenda datës 28 shkurt, procesin e verifikimit të shtetasve shqiptarë. "Jam i bindur që ky proces do të ndihmojë në mënyrë themelore mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme dhe të lira parlamentare në vitin 2005", tha Blushi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›