E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati lista për zëvendësimin e deputetëve të PS-së

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha në një emision televiziv se, do t’i kërkojë KQZ-së të zëvendësojë deputetët socialistë të cilët po bojkotojnë Kuvendin në rast se ata nuk paraqiten për të bërë betimin brenda afatit kushtetues.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, përkatësisht nenit 164 të tij, pas përfundimit të afatit 6- mujor të mungesës së deputetëve aktualë, fillimisht bëhet zëvendësimi i tyre me kandidatët që vijnë pas në listën e partisë për zonën përkatëse zgjedhore. Por nëse në këtë rast, lista nuk plotësohet, atëherë deputetët e rinj do të përzgjidhen nga lista e partive aleate që kanë marrë më shumë vota në zgjedhje.

 “Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë”, thuhet në nenin 164 të Kodit Zgjedhor.

Edhe pse kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama këmbëngulë për vijimin e bojkotit, një pjesë e deputetëve të rreshtuar kundër kësaj ideje, kanë deklaruar se do të braktisin bojkotin nëse mandati i tyre rrezikon të digjet. Një deklarate të tillë i janë bashkuar, Arben Malaj, Ben Blushi, Andis Harasani, Kastriot Islami, Marko Bello, etj. 

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›