E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statuti i PS, sot mblidhet grupi i punës

TIRANE-Grupi i punës për ndryshimet në statutin e PS-së pritet të mblidhet sot për të qartësuar detajet e punës deri në hartimin e projektit të plotë të dokumentit. Fillimisht pritet që të hartohet një kalendar pune, mbi bazën e të cilit do të operojë i gjithë grupi që u miratua në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare. Grupi i punës për ndryshimet në statut kryesohet nga Gramoz Ruçi dhe përbëhet nga Arben Ahmetaj, Blendi Klosi, Agustin Marku, Bashkim Fino, Elvira Shapllo, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Genc Gjonçaj, Ilir Gjoni, Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Namik Dokle, Ndue Doda, Rajmonda Gjoni, Saimir Tahiri etj. Të gjithë të zgjedhurit socialistë në grupin e punës për ndryshimet në statut pritet të nisin edhe turin në bazën e partisë, ndërkohë që do të zhvillohen edhe zgjedhjet në organizatat socialiste. Përveçse do të jenë mbikëqyrës të këtij procesi, ata do të vjelin në mbledhjet e veçanta propozimet e bazës për të përmirësuar statutin. Kjo do të jetë një analizë e hollësishme që do të bëhet në çdo organizatë, për të kuptuar se si ka funksionuar në përgjithësi statuti i partisë dhe pika të veçanta të tij. Tashmë grupi i kundërshtarëve të Edi Ramës në PS ka bërë një set propozimesh që në kongresin e jashtëzakonshëm. Këto propozime bashkë me të tjerat pritet të merren në diskutim në fazën e përpunimit të projektit, përpara se ai të kalojë në kongresin e prillit të vitit që vjen. Ndryshimi kryesor i propozuar nga Lëvizja për Mendim Ndryshe në PS ishte ai që kishte të bënte me mosrikandidimin e kryetarit të partisë, në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›