Gati ndërtimi me koncesion i Unazës së Madhe të Tiranës
Kryeministri Berisha njofton fillimin brenda këtij viti të procedurave, për dhënien me koncesion të ndërtimit të unazës së kryeqytetit
Kryeministri Sali Berisha njoftoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se qeveria do të nisë procedurat për ndërtimin e unazës së madhe të Tiranës. Për realizimin e kësaj vepre, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që “brenda këtij viti të përgatitet tenderi ndërkombëtar për dhënien me koncesion të ndërtimit të unazës së Tiranës”. Berisha e konsideroi këtë një projekt madhor dhe të domosdoshëm për infrastrukturën jo vetëm të Tiranës, por edhe të vendit, si një nyje e rëndësishme mes disa ndër akset kryesore kombëtare. “Ndërtimi i kësaj unaze, tha kryeministri, përbën një domosdoshmëri të madhe. Gjatë këtyre muajve, kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Krahu veriperëndimor dhe perëndimor i saj është jetik edhe për faktin se në dy vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi me trafikun me ndërtimin e korridorit të kombit. Edhe kjo rrugë do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, që kësaj radhe bie direkt në Tiranë, tek shkalla e Tujanit, ura e Brarit”.
Ndërtimin i kësaj vepre, shtoi kreu i qeverisë, ka një rëndësi shumë të madhe gjithashtu për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Evropë dhe në botë. “Në qoftë se standardi urbanistik është mbi 30 për qind sipërfaqe rrugore për qytetin, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 për qind sipërfaqe rrugore. Çka shprehet me vështirësi të jashtëzakonshme në rritje në trafik, shprehet me një prej ndotjeve më të larta nga automjetet, sepse Tirana nuk ka industritë e mëparshme që ta ndotin”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri tha se në ndërtimin e unazës, me gjatësi mbi 30kilometra dhe e parashikuar me 8 korsi, me përparësi do të shihen dy segmentet më të rëndësishme të saj, me ndikim shumë të madh në trafik. “Unaza, tha Kryeministri, mund të shkojë mbi 30 kilometra dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi është një vepër shumë e madhe, por dy janë segmentet nevralgjike, në të cilat punimet duhet të fillojnë më së pari. Segmenti ura e Brarit - Kthesa e Kamzës ose ura e Limuthit, unë mendoj se mund të shkohet tek ura e Limuthit, në mënyrë që qyteti i Kamzës të shmangë përfundimisht çdo trafik kombëtar dhe ndërkombëtar dhe krahu tjetër Sauk. Do të studiohet trajektorja, sepse aty ku ka qenë, ajo nuk kalon dot më, pasi janë me ndërtuar me dhjetëra pallate. Segmenti te shkolla Teknologjike është e vështirë të pranohet për unazë, pasi ky segment është bërë zemër e Tiranës. Ndaj duhet të studiohet me shpejtësi trajektorja dhe mund të zbritet edhe më poshtë, më drejt jugperëndimit. Faktikisht, një pjesë e trajektores, në një zone të Farkës, është bërë e pamundur”. Kryeministri Berisha theksoi se ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore, me atë të Farkës, të Dajtit, Paskuqanit, Kamzës, me qeverinë vendore të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e bashkisë së Tiranës.