“Liberalizimi i vizave, në qershor të 2009-s”
Vlerësimi i kreut të delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan
Kreu i delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, Helmuth Lohan, tha dje, duke u nisur nga Progres-Raporti për vitin 2009, se Shqipëria do të përfitojë nga liberalizimi i vizave, brenda qershorit të 2010-ës.
“Progres-Raporti, ka bërë vënë re progresin dhe ecurinë në regjistrin e kompjuterizuar dhe pasaportat biometrike. Por janë edhe disa kërkesa të tjera në këtë drejtim. Qeveria shqiptare ka një mundësi realiste për të plotësuar kërkesat, në mënyrë që KE të liberalizojë vizat deri në qershor të 2009-ës”, u shpreh Lohan, gjatë një interviste për TVSH.
Duke komentuar Progres-Raportin për vitin 2009, Lohan theksoi se në vija të përgjithshme, KE i ka vënë notë të mirë Shqipërisë. “KE ka inkurajuar Shqipërinë në shumë fusha. Në ato fusha ku ka pasur pak progres, KE i sugjeron Shqipërisë ndërmarrjen e reformave dhe vijim e tyre”, tha ai.
Përsa u takon zgjedhjeve të 28 qershorit, Lohan tha se “dialogu konstruktiv politik duhet në parlament nga të gjitha partitë për të shkuar drejt axhendës evropiane. Ka një pjesë të rëndësishme të legjislacioni që kërkojnë një mazhorancë të mjaftueshme në parlament. Të gjitha partitë duhet të bëjnë hapa përpara për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë. Progres-Raporti i ka të gjitha konstatimet për zgjedhjet në Shqipëri dhe është e nevojshme që qeveria t’i shqyrtojë me përparësi si konstatimet ashtu edhe rekomandimet e ndërkombëtarëve”, nënvizoi më tej Lohan
Lidhur me kërkesën për statusin kandidat, Lohan shtoi se nuk ka asnjë pengesë, por se Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, do të japë konkluzionet dhe rekomandimet e veta brenda vjeshtës.
“Nuk ka pengesa nga vendet e BE-së, për marrjen e statusit kandidat. Këshilli i Ministrave do të çojë kërkesën në KE, në mënyrë që ky i fundit të japë një vendim për statusin kandidat të Shqipërisë. Këshilli do t’i kërkojë Komisionit një opinion në vjeshtë dhe në fund Këshilli do të japë konkluzionet dhe rekomandimet e veta. Këshilli i Ministrave të BE-së do të merren me substancën e aplikimit të Shqipërisë”, deklaroi më tej, kreu i delegacionit të KE-së në Tiranë, Helmut Lohan.