“Shqipëria reforma dhe progres”
Topalli-Lohan
Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi dje se Shqipëria ka realizuar një pjesë domethënëse të reformave. Gjatë takimit të zhvilluar me ambasadorin e KE-së, Helmut Lohan, kryeparlamentarja Topalli deklaroi se raporti i progresit është si realist ashtu edhe objektiv.
“Ky raport do t’u shpërndahet të gjithë deputetëve dhe do të përbëjë një udhërrëfyes për parlamentin”, tha Topalli.
Duke nënvizuar çështjet kryesore të raportit të progresit, ambasadori Lohan tha se, mesazhi kryesor është inkurajues dhe thekson marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe BE-së. Në raport, tha ambasadori Lohan theksohet se, “Shqipëria e ka zbatuar mirë MSA-në dhe ka adresuar në përgjithësi kriteret politike”.
Përsa i përket parlamentit ambasadori Lohan nënvizoi se raporti thekson se, “Parlamenti ka miratuar një numër të madh ligjesh për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së dhe kapacitetet menaxhuese të parlamentit janë përmirësuar”.
Ambasadori Lohan, tha se, “Shqipëria ka bërë reforma të mira”.
Duke cituar raportin ambasadori Lohan theksoi se për sa i përket kritereve ekonomike Shqipëria po bën progres në funksionimin e ekonomisë së tregut.