E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati ndryshimi i ligjit të ekstradimeve

Atëherë kur jo pak procese po mbahen peng për vonesat në ekzekutimin e letërporosive dhe kur disa ekstradime të rëndësishme për drejtësinë shqiptare nuk janë realizuar, Ministria e Drejtësisë hedh sytë nga ligji i bashkëpunimit ndërgjyqësor me synim për ta ndryshuar atë.

Një grup specialistësh nga ky institucion, Prokuroria e Përgjithshme, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Jashtme të mbështetur edhe nga misionet "Euralius" dhe "Opdatë" kanë nisur rishikimin e ligjit më të debatuar edhe në kohën e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, atëherë kur ky i fundit u sulmua pikërisht për dështimet e ekstradimeve.

Drejtoresha e Kodifikimit, Marsida Xhaferllari, pohon se ligji ekzistues i përket vitit 1995, dhe duhen bërë ndryshime në nenet për ekstradimin, letërporositë, si dhe njohjet e vendimeve penale të huaja.

Sipas Xhaferllarit po shqyrtohen modelet e Anglisë, Çekisë, Finlandës, Gjermanisë, Hungarisë, Malit të Zi, Suedisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, për të dërguar në Komision të Ligjeve një version të ri të ligjit "Marrëdhëniet juridiksionale me shtetet e huaja".

Pas vitit 2005, kanë dështuar dhjetëra ekstradime në vendin tonë, si pasojë e refuzimeve të drejtësive perëndimore. Kështu është refuzuar ekstradimi i Aldo Bares, kreu i Bandës së Lushnjës. Gjithashtu, drejtësia turke ka refuzuar ekstradimin e Izet Haxhisë, i dënuar për vrasjen e liderit të dhjetorit, Azem Hajdari. Drejtësia shqiptare ka dështuar edhe në ekstradimet e disa krerëve të bandave fatkeqe, të cilët janë arrestuar në shtetet e huaja. Dështimi i fundit i drejtësisë shqiptare ka qenë mosekstradimi i bosit të firmës piramidale "Populli", Bashkim Driza.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›