E Diel, 1 Nëntor 2026

"Luftë" me dosje në PD-në e Fierit

Një leje ndërtimi e lëshuar në vitin 2000 nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Rrethit Fier ka çuar në përplasje anëtarët e degës së Partisë Demokratike në qytet. Përplasja ka shkuar deri në dyert e gjykatës dhe rrezikon të përfundojë me nisje hetimesh nga ana e prokurorisë së rrethit. Gjithçka ndodh pak ditë përpara se strukturat e PD-së së Fierit të zgjedhin krerët e tyre të rinj dhe kur kanë nisur ethet e kandidimit për deputetë.

Këshilli i Qarkut, ku mbajnë poste drejtuese shumë nga figurat më të spikatura të PD-së së Fierit, ka kërkuar që kryetari aktual i degës së PD-së, Ferdinand Murati, të paguajë 3,4 milionë lekë, për një leje ndërtimi të dhënë në mënyrë të paligjshme nëntë vjet më parë. Kreu i zyrës juridike në Këshillin e Qarkut të Fierit, Arap Shkopi, thotë se më 20 shkurt të këtij viti, zyra e Përmbarimit kërkoi nga Këshilli i Qarkut të paguante shumën e sipërpërmendur, pasi prej këtij institucioni ishte lëshuar dokumenti i lejes së ndërtimit, që më pas ka rezultuar se ishte dhënë në mënyrë abuzive. Arap Shkopi, sqaron se Përmbarimi kishte kërkuar ngrirjen e llogarisë bankare të Këshillit të Qarkut, duke rrezikuar pagat e 60 punonjësve dhe për këtë arsye çështja është ankimuar në gjykatë.

"Gjobitja" është bërë për një leje ndërtimi që i është dhënë në muajin korrik të vitit 2000 shtetasit Spartak Lajthia, banor i qytetit të Patosit. Ky i fundit ka ndërtuar në qendër të qytetit një lokal dykatësh, në bazë të lejes së firmosur nga kreu aktual i PD-së, Ferdinand Murati, në atë kohë kryetar i këshillit të rrethit. Por leja e ndërtimit u shfuqizua nga KRTRSH-ja në vitin 2003 dhe në vitin 2004 policia ndërtimore shkatërroi lokalin e Lajthisë. Ky i fundit iu drejtua Gjykatës së Fierit dhe më pas Gjykatës së Apelit në Tiranë. Vendimi gjykatës ka qenë që këshilli i rrethit, sot këshill qarku, të dëmshpërblejë qytetarin. Vendimi në fjalë i është përcjellë zyrës së Përmbarimit dhe kjo e fundit ka kërkuar këtë vit ekzekutimin e vendimit.

Por këshilli i qarkut ia faturon të gjitha shkeljet personit që ka firmosur lejen e parregullt të ndërtimit, Ferdinand Muratit, i cili e konsideron këtë veprim një sulm politik, në prag të zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike.

Murati thotë se vendimi për këtë leje ndërtimi është marrë në mënyrë kolegjiale nga të 17 anëtarët e KRT-së së Rrethit, sot KRT e qarkut. "Për tre vjet ky urdhër është mbajtur në zyrën e Përmbarimit dhe del befas pak orë para zgjedhjeve në PD-në lokale", thotë ai.

Zgjedhjet që kanë përfshirë degën e Partisë Demokratike në Fier e kanë ndarë anëtarësinë e kësaj partie në dy grupe, që mbështesin dy kandidatë për kryetar. Afrimi i zgjedhjeve për kryetar të degës ka bërë që një prej pretendentëve të sulmojë garuesin tjetër, duke shkuar deri në akuza për abuzim dhe shpërdorim detyre


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›