E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati ndryshimi i udhëzimit për tatimin të shtëpive

Autori i Lajmit: Denisa Kona
“Tatimi i dhurimit mund të hiqej vetëm për rastet e dhurimit nga prindi. Por, për këtë duhej ndërhyrë më parë në ligj, pasi udhëzimi nuk mund të dalë mbi ligjin”...

Tatimi 10% i apartamenteve, shtëpive me oborr, zyrave dhe pronave të tjera të patundshme nuk do të lëvizë, së paku deri në fund të këtij viti. Megjithëse qytetarët, pas kontakteve me zyrat noteriale kishin shpresuar të korrigjohej masa e tatimit dhe vetë noterët kishin treguar për “Ballkan” se presin që udhëzimi të rishikohet, pasi vlera e lartë e tatimit ka penguar ose ulur transaksionet në tregun e banesave, një gjë e tillë nuk është parashikuar as në draftin më të ri që po përgatitin dy grupet e punës të ngritura për të shqyrtuar disa momente të udhëzimit Nr.9, Datë 26/ 02/2008 “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së paluajtshme”. Drejtoresha e Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave, Arjana Dyrmishi thotë: 10% e fitimit kapital të realizuar është e caktuar në ligjin që është bërë vjet dhe Ministria e Financave nuk ka ndër mend të ndryshojë këtë ligj, për të riparë mënyrën e taksimit gjatë shitblerjes së pasurive të paluajtshme.”

-Ministria e Financave i është rikthyer përsëri udhëzimit për tatimimin 10% të fitimit nga shitja e pasurive të palujtshme. Flitet se janë ngritur dy grupe pune dhe po shqyrtojnë momentet e paqarta apo difektet e Udhëzimit të Shkurtit. Çfarë ndryshimesh paraqet konkretisht drafti juaj i ri?
Ndryshimet kryesore kanë të bëjnë me detajimin e mënyrës se si do të funksionojë udhëzimi që është në fuqi që nga shkurti, pra, si do të aplikohet në çdo rast, tatimi 10% i kalimit të pronësisë si për ndërtesat ashtu edhe për trojet, tokat bujqësore etj. Gjatë zbatimit të skemës së re, ne konstatuam se kanë dalë disa probleme gjatë zbatimit në praktikë, për shkak se nuk janë të mirëadresuara ose janë lënë jashtë udhëzimit. Kur e bëmë udhëzimin, na u duk se nuk ishte shumë e nevojshme me qenë kaq specifikë në një udhëzim, por më pas na doli se ishte e nevojshme, pasi zyrat qendrore dhe vendore nuk kryenin akte të kalimit të pronësisë, duke na thënë se nuk ishin të shprehura disa momente në udhëzim.
Pra, janë detajuar disa momente.
E dyta ka të bëjë me faktin se në udhëzimin aktual kemi çmimet e shitjes për 2008-n të ndërtesave që i referohen çmimeve të qyteteve kryesore, ndërsa për bashkitë e vogla nuk ishte shprehur udhëzimi. P.sh, si do të trajtohet Vora? 60% si komunë e Tiranës apo si Tirana? Por ajo është bashki më vete. Kur ne vendosëm çmimet e 2008-s, kjo u bë në bazë të marrëveshjes me shoqatën e ndërtuesve.
Çmimet e shitjes që ne kemi punuar si grup pune në këtë projektligj, janë çmimet e shitjes së vlerës së tregut të 2008-s, të nxjerra nga Enti Kombëtar i Banesave (për të cilin doli edhe vendimi i qeverisë). Sepse Enti Kombëtar i Banesave është për momentin i vetmi institucion, që ka një metodologji të mirëpërcaktuar, të pandryshuar në kohë për të 62 qytetet. Pra, këtë problem e kemi të ezauruar; tashmë të gjitha lokalitetet kanë çmimet e tyre të veçanta, sepse të themi të vërtetën, nuk mund të kishin të njëjtin çmim bie fjala Vora me Tiranën.

-Po për shtëpitë e vjetra, të ndërtuara kohë përpara, si p.sh. në kohën e Mbretërisë, a është parashikuar saktësisht në draftin e ri se si do të trajtohen?
Shtëpitë që janë blerë në franga floriri, napolona, etj, të trashëguara nga gjyshërit, nuk kanë çmim në blerje. Në këto raste, udhëzimi adreson që do të tatohen duke marrë për bazë çmimin minimal fiskal të vitit 1995.

-Vihet re që ka njëfarë rënie të transaksioneve të shitblerjes së pronave të patundshme, që sipas noterëve i detyrohet aplikimit të tatimit 10% mbi fitimin. A mendohet të lëvizë kjo vlerë tatimi në draftin e ri?
Jo, jo, absolutisht. 10% e fitimit kapital të realizuar është e caktuar në ligjin që është bërë vjet dhe Ministria e Financave nuk ka ndër mend të ndryshojë këtë ligj, për të riparë mënyrën e taksimit gjatë shitblerjes së pasurive të paluajtshme. Ne vetëm po preçizojmë udhëzimin.

-Noterët shprehen se në zona të caktuara të Tiranës, çmimi minimal fiskal e kapërcen hera-herës çmimin real të tregut. Plus rasteve të shtëpive të amortizuara, që mund të ndodhen në zona të lakmuara dhe ku çmimet referencë janë shumë të larta, por që këto mund të shiten vetëm për vlerën e truallit...Gjithashtu, për rastet e shtëpive të rikonstruktuara, ku tek këto të fundit, kur llogaritet fitimi nuk zbriten investimet që qytetarët kanë bërë për banesën (dhe një ndër arsyet e shtrenjtimit të banesave janë edhe rikonstruksionet e pjesshme ose tërësore të tyre masivisht nga qytetarët...). Pra, a është parë udhëzimi edhe me syrin për të bërë detajime të tilla, në mënyrë që secili të tatohet për një çmim sa më real?
-Kjo është arsyeja, që ne për të gjitha zonat e Tiranës dhe për të gjitha qytetet, madje edhe lokalitetet, i kemi riparë çmimet me Entin Kombëtar të Banesave, në sensin për të mos pasur çmime joreale. Përsa i takon pjesës së noterit, secili ka shtojcën e udhëzimit dhe lidh kontrata, që u përmbahen çmimeve fiskale. Nën këto çmime, noterët nuk mund të lidhin kontratë.

-Ideja është që çdo ligj apo udhëzim që del, të jetë sa më funksional, i drejtë dhe t u shërbejë sa më tepër njerëzve. Sepse që kur doli udhëzimi për tatimin mbi fitimin, ka një rritje artificiale të çmimeve të shtëpive dhe një frenim të transaksioneve.
Rritja e çmimeve të shtëpive nuk ka të bëjë fare me tatimin mbi fitimin nga shitja e tyre. Janë faktorë të tjerë. Nuk flas vetëm si drejtore e politikave fiskale, pasi ju mund të merrni edhe mendime të tjera specialistësh, por zakonisht, atë 10%-sh tatim, shitësi e ndan edhe me blerësin. Nga kontaktet që kemi me qytetarët, nuk na rezulton të ketë rritje çmimi prej tatimit.

-Cilat janë kontaktet tuaja me qytetarët, që ju shërbejnë si indikatorë për të matur se nga niset një qytetar kur shtrenjton banesën dhe pse frenohet një qytetar, që të blejë një banesë?
Deri tani, kontakti që ne kemi me qytetarët, është thjesht mbi mënyrën e zbatimit të udhëzimit. Ne na vijnë letrat e qytetarëve, p.sh., Bashkia e Delvinës na shkruan se nuk mund të jetë çmimi i pronave atje i njëjtë me të Sarandës. Dikush thotë se e ka blerë shtëpinë në franga dhe nuk mund të konvertohet me vlerën e sotme. Atëherë, ne u detyruam që, këto momente t i shohim në draftin e ri.

-Eshtë një moment në udhëzim që flet edhe për zyrat, duke u llogaritur njësoj tatimin dhe duke pasur të njëjtin çmim fiskal me apartamentet. Mirëpo një pjesë e madhe e zyrave janë aktivitete biznesi dhe ato na duket se nuk mund të tatohen njëlloj me një qytetar.
Po, këto trajtohen njëlloj për efekt fiskal nga Ministria, përderisa konsiderohet që fitim realizohet edhe nga shitja e një shtëpie. Ligji taton gjithnjë fitimin, prandaj dhe nuk ka diferenca.

-Udhëzimi ekzistues flet për tatim edhe të dhurimit, pra, tatim fitimi mbi dhurimin. Mendoni se ka një problem në konsiderimin e dhurimit si një transaksion që sjell fitim? Shumë njerëz e kanë shtruar pyetjen: pse tatohet dhurimi? Dhe a është trajtuar ky moment në draftin e ri?
Kjo është një nga diskutimet kryesore, çështja e dhurimit, mirëpo përjashtimet nga tatimi bëhen në ligj dhe ato mungojnë. Në ligj përjashtohen vetëm rastet e shkëmbimit.

-Por ka edhe një ligj më të vjetër, që parashikon përjashtim nga tatimi për rastet e dhurimit institucioneve të shtetit etj. A është parashikuar në draft, propozimi që të shtohen edhe rastet e tjera të dhurimit tek përjashtimet?
Jo, jo. Rikthimi i këtij momenti do të bëhet vetëm nëse do të ketë ndryshime në ligj. Sepse një udhëzim nuk del dot mbi ligjin. Përsa i përket pjesës së dhurimit, kemi pasur opinione të ndryshme për pjesën që të hiqet tatimi kur dhurohet nga prindi. Por, nëse ne do ta përjashtojmë dhurimin nga tatimi, unë ju garantoj se shumica e transaksioneve do të bëhen me dhurim, do të jetë një mënyrë devijimi për t i shpëtuar tatimit. Realisht nuk e kontrollon dot, sepse janë zyrat që e zbatojnë në praktikë.

-Pamundësia apo paaftësia e shtetit që nuk gjen dot mekanizmat për të kontrolluar zbatimin e ligjit, nuk duhet të bëhet shkak “për të penalizuar” ato raste, kur qytetarët vërtet dhurojnë.
Ky problem do të shihet në një moment tjetër, por nëse do të ndryshohet, ndryshimi do të bëhet më së pari në ligj. Eshtë diskutuar dhe e dimë këtë problem, por për sa kohë ligji nuk e ka të shprehur tek përjashtimet, ne nuk kemi tagër që të dalim mbi ligjin.

Toka bujqësore, ja si do të tatohet me ndryshimet në draftin e ri
Një moment tjetër i rëndësishëm i parë në draft janë transaksionet e shitblerjes së tokës bujqësore. Në udhëzimin e shkurtit tatimi është 10% mbi çmimin e shitjes (pra, jo mbi fitimin). Por, për të ofruar një lehtësi fiskale për fermerët, sipas drejtoreshës së politikave fiskale në Ministrinë e Financave, do të bëhet një ndërhyrje. “Fermeri e ka marrë tokën me ligjin 7501, pra e ka marrë tokën falas, nuk ka paguar dhe për këtë arsye, u vendos tatimi mbi shitjen dhe jo mbi fitimin, si në rastin e pasurive të tjera të patundshme. Por, në kuadrin e tatimit fiskal të këtij koeficienti fiskal të transaksioneve të tokës bujqësore, kemi vendosur që çmim në blerje do të merret indeksimi i inflacionit të fundvitit. Meqenëse kur ka marrë tokën, ai nuk e ka blerë, ne kemi marrë indeksin i inflacionit për t i vënë një çmim minimal në blerje dhe për rrjedhim, pjesa e tatimit për kalim pronësie të ngushtohet disi, pra të ngrihet dyshemeja për të qenë më afër tavanit”.
Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›