E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers: “Hetimi i Prokurorisë nga Kuvendi, cenim i demokracisë”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
1. Do të kërkojmë që të konsolidojmë më tej sundimin e shtetit ligjor, jo vetëm për qytetarët e thjeshtë, por edhe për zyrtarët në pushet.

2. Do t i bëjmë udhëheqësit e shoqërisë të përgjegjshëm për të mirat që shoqëria ka.

3. Demokracia jo me fjalë, por me vepra. Për Amerikën dhe amerikanët, demokracia është një çështje shumë serioze.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ritheksuar edhe një herë, duke i bërë thirrje qeverisë “Berisha”, se për ta demokracia dhe liria e institucioneve të pavarura janë me rëndësi të veçantë dhe për këtë do të jenë gjithnjë në pritje. Në ceremoninë e nënshkrimit të Fazës II të projektit të Sfidës së Mijëvjeçrit, ambasadori i SHBA-ve, Xhon Uidhers, ka kritikuar hapur kësaj radhe Qeverinë dhe ministrat e saj për ngjarjet e fundit në përplasjet me Prokurorinë e Përgjithshme, hartimin e projektligjit për “Administratën Gjyqësore” si dhe komisionet e kota hetimore parlamentare që kërkohet të ngrihen për të hetuar përplasjen ndërinstitucionale. Uidhers është shprehur se “Lëvizjet në Parlament, për një hetim mbi funksionimin e Prokurores së Përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime, janë shqetësuese, sepse janë reale. Veprimet e dy ministrive, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme, javën e kaluar nuk janë keqkuptime, por shqetësime të vërteta”. Në vijim të fjalës së mbajtur, Uidhers nënvizoi se “është një ditë krenarie, sepse sot kremtojmë suksesin e arritur nga faza e parë e projektit të Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit. Këto suksese kanë qenë të shumta dhe të rëndësishme, dhe të thella siç i kemi parë dhe dëgjuar gjatë gjithë kësaj periudhe dhe sot gjithashtu. Sot është gjithashtu një ditë krenarie, pasi po nënshkruajmë fillimin e Fazës II të projektit të Pragut të Sfidës së Mijëvjeçarit. Gjatë dy viteve të fundit, projekti i Sfidës së Mijëvjeçarit ka ndihmuar Qeverinë e Shqipërisë për zbatimin e një sërë reformash me rëndësi të madhe për reduktimin e korrupsionit dhe informalitetit si dhe për përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri. Së bashku kemi shënuar një sërë reformash në ndihmë të biznesit për ta bërë Shqipërinë një vend edhe më tërheqës për investimet e huaja. Është edhe një ditë shprese, sepse në fazën e dytë të projektit të Sfidës së Mijëvjeçarit ne do të përpiqemi që të rrisim profesionalizmin në dyert e agjencive qeveritare që ofrojnë shërbimet. Do të kërkojmë që të konsolidojmë më tej sundimin e shtetit ligjor, jo vetëm për qytetarët e thjeshtë, por edhe për zyrtarët në pushet. Do t i bëjmë udhëheqësit e shoqërisë të përgjegjshëm për të mirat që shoqëria ka. Përmes programeve siç janë njësitë e përbashkëta të hetimit në rajone të ndryshme të Shqipërisë, ne do të luftojmë korrupsionin në mbarë Shqipërinë. Por sot është gjithashtu edhe një ditë pritjesh. Shpesh më bëhet pyetja se cili është interesi i SHBA-ve në Shqipëri. Përse përpiqeni kaq shumë të sillni jo vetëm fazën e parë të Sfidës së Mijëvjeçarit, por gjithashtu edhe fazën e dytë të tij? Përtej dhe akoma më shumë sesa arsyet që përshkruam pak më parë këtu, arsyeja është shumë e thjeshtë! Përgjigjja, interesi pra është, Demokracia! Për demokracinë, të gjitha ato qëllime të përbashkëta që folëm, për qëllime të tjera, si ai i tregut të lirë, të të drejtave të njeriut, të demokracisë në përgjithësi. Demokracia jo me fjalë por me vepra. Është themeli thelbësor i asaj që duam të arrijmë këtu. Për Amerikën dhe amerikanët, demokracia është një çështje shumë serioze. Nuk është një slogan nuk është një klishe, nuk është një moto. Dje pati nga ata që deklaruan se shqetësimet e qeverisë sime për situatën në Shqipëri kanë ardhur si pasojë e keqkuptimeve. Ato bazohen mbi realitete. Bëj të qartë se ne si amerikanë e dimë si funksionon Demokracia. Veprimet e dy ministrive, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme, javën e kaluar, nuk janë keqkuptime, por shqetësime të vërteta. Projektligji për gjyqësorin, në të cilin qeveria ndërhyn në pavarësinë e gjykatave nuk është keqkutpim, por shqetësim. Lëvizjet në Parlament, për një hetim mbi funksionimin e Prokurores së Përgjithshme për kurrfarë arsyeje legjitime, janë shqetësuese, sepse janë reale. Hetimi i Prokurorisë nga Kuvendi do të thotë cenim i demokracisë së një vendi. Kur SHBA ftoi Shqipërinë të anëtarësohet në NATO kishte pritshmërinë e përmbushjes së standardeve. Kur senati ratifikoi Protokollin priste angazhim të pakthyeshëm në rrugën e demokracisë. Këto janë disa ngjarje, të cilat qeveria ime dhe unë do t i monitorojmë nga afër dhe do të jemi shumë seriozë në këtë monitorim dhe në veçanti për këto çështje. Ne do të vazhdojmë të jemi në pritje, dhe më pas edhe në të ardhmen”, - përfundoi Uidhers fjalën e tij.
Kokteili - Berisha bisedë me Uidhers

“Tërhiqemi për komisionin, nëse është e nevojshme”

Pas firmosjes së Fazës II të Projektit të Sfidës së Mijëvjeçarit, kryeministri Berisha, ambasadori Uidhers si dhe eksponentë të USAID dhe të këtij projekti, kanë marrë pjesë në kokteilin e shtruar me këtë rast në praninë e një pjese të konsiderueshme të kabinetit qeveritar si dhe deputetë nga e majta dhe e djathta. Kryeministri Berisha, pasi ka prerë tortën me ambasadorin Uidhers, është munduar që të bisedojë për disa çështje me të, duke shfrytëzuar kështu rastin, edhe me ikjen e urdhëruar të mediave, për të sqaruar gjithçka për përplasjet e fundit me institucionin e Prokurorisë. Berisha i është drejtuar ambasadorit të SHBA-ve fillimisht duke i thënë se “njohjet ndaj reformave, duhet të jenë njohje”, por përgjigjja e ambasadorit ka qenë shumë e prerë me një “ok” (mirë). Më pas ai është përpjekur t i shpjegojë situatën e ditëve të fundit si dhe arsyet se përse vendosi të ngrejë komision parlamentar për hetim të përplasjeve institucionale. Por përsëri ambasadori Uidhers ka qënë i prerë, duke i tundur kokën dhe duke i thënë “mirë”. Pasi Kryeministri e ka parë se nuk po merrte reagim nga ambasadori, ka dhënë edhe alternativën. “Nëse nuk duhet dhe mendoni se është ndërhyrje, po e harrojmë fare punën e komisionit”,- është shprehur ai, po përsëri pa marrë përgjigje. Më pas janë ndarë duke i thënë Berisha me një ton pohues: “Ok, mirë”?! Ambasadori është përshëndetur duke i uruar Kreut të Ekzekutivit një ditë të mbarë.
Ky lajm është publikuar: 18/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›