E Shtunë, 31 Tetor 2026

Objektet historike, më në fund drejt rikonstruksionit

Autori i Lajmit: red.
Amfiteatri antik, xhamia “Fatih” dhe kalaja e Peqinit, janë tre nga monumentet historike, të cilat do të restaurohen pjesërisht brenda këtij viti nga specialistët e Ateliesë së qarkut të Durrësit, tha drejtori i Ateliesë së Monumenteve, Edlir Terpo. Ai tha gjithashtu se edhe një subjekt privat ka nisur rindërtimin e një godine 124-vjeçare që ndodhet në këtë qytet, duke ruajtur të pandryshuar elementet e fasadës së saj. Drejtori i Ateliesë bëri të ditur se brenda këtij viti do të rikonstruktohen disa galeri të vogla në anën veriore të Amfiteatrit antik të Durrësit dhe do të bëhet disiplinimi i ujërave mbi pjesën e arenës së tij. IMK ka dhënë 1 milion lekë për ndërhyrjet e domosdoshme dhe urgjente në galeritë që ndodhen nën shkallaren e lagjes “Kala”, rreth 100 metra pranë Bashkisë së qytetit të Durrësit. Ky monument madhështor është ndërtuar në fund të shekullit të parë të erës sonë dhe është zbuluar vetëm pjesërisht, pas ekspeditave të drejtuara nga arkeologu Vangjel Toçi, në vitin 1966. Terpo njoftoi se në bashkëpunim me Komunitetin Mysliman, në Durrës ka nisur puna për restaurimin e plotë të xhamisë “Fatih”, një nga monumentet më të vjetra fetare në këtë zonë. "Pas paraqitjes së projektit të miratuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) për ndërhyrjet dhe restaurimin e çatisë, fasadës dhe mjediseve të brendshme të xhamisë, Komuniteti Mysliman vendosi financimin e këtij restaurimi, që do të realizohet nga specialistët e Ateliesë së Durrësit", - tha Terpo, duke sqaruar se shumës prej 500 mijë lekësh që ka dhënë IMK, do t i shtohet financimi i këtij Komuniteti për rikonstruksionin e plotë të xhamisë “Fatih” brenda këtij viti. Xhamia “Fatih” është ndërtuar në shekullin e 19-të mbi rrënojat e një godine të mëparshme kulti (një kishe të vjetër) dhe ndodhet në zonën historike, shumë pranë Muzeut etnografik të qytetit. Sipas të njëjtit burim, një subjekt privat, i cili ka blerë një godinë të ndërtuar në vitin 1884 në zonën historike të Durrësit, ka nisur rindërtimin e saj, duke ruajtur të pandryshuar fasadën. IMK ka lejuar rindërtimin e godinës që ka shërbyer edhe si konsullatë e Austro-Hungarisë në fillim të shekullit të 20-të, duke respektuar lartësinë dhe pamjen e dikurshme të saj, sipas projektit të miratuar nga ky institut. Specialistët e Ateliesë së Monumenteve po ndjekin rikonstruksionin e kësaj godine të dëmtuar aq rëndë për shkak të amortizimit, sa rrezikonte të rrënohej plotësisht. Drejtori Terpo tha se një investim prej 470 mijë lekësh do të shfrytëzohet edhe për një ndërhyrje emergjence në kalanë e qytetit të Peqinit, një nga monumentet e kulturës që ndodhet nën juridiksionin e Ateliesë së monumenteve të Durrësit. Këto ndërhyrje u paraprijnë disa investimeve të rëndësishme që do të realizohen në monumentet antike dhe mesjetare të qytetit antik, tha drejtori Terpo.

Ky lajm është publikuar: 17/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›