E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Freiburgun

Beg Ferati është gati për ta filluar eksperiencën në Freiburg. Mbrojtësi kosovar thotë se do të mundohet t’i përshtatet sa më shpejt futbollit gjerman. Ai do të punojë gjatë tërë verës, për të qenë i gatshëm për sfidat që e presin në Bundesliga. Nga Express më 31 maj 2011 në ora 12:02

Beg Ferati ndihet i gatshëm për sfidat e reja që e presin në kampionatin gjerman. Mbrojtësi kosovar iu bashkua Freiburgut së fundmi, pas karrierës së bujshme që e kaloi te Baseli, me të cilin e fitoi titullin e kampionit në dy sezonet e fundit, dhe me të cilin mori pjesë në kompeticionin më të rëndësishëm në Evropë për klube, Ligën e Kampionëve.

24-vjeçari, i cili nënshkroi me skuadrën gjermane qysh në muajin janar, do të mundohet t’i përshtatet futbollit gjerman gjatë përgatitjeve dhe ndeshjeve kontrolluese të verës.

“Do të mundohem që sa më shpejt ta kap hapin”, tha qendërmbrojtësi kosovar për të përditshmen Basler Zeitung. Trajneri i ri i Freiburgut, Marcus Sorg e ka përgatitur një program fitnesi për Feratin, i cili duhet t’i përmbahet atij gjatë pauzës verore.

Edhe pse qëndroi për një kohë jashtë fushës së blertë, për shkak të lëndimit, futbollisti shqiptar nuk ka arsye të brengoset. “Trajneri më ka premtuar se nuk ka ndryshuar aspak mendimin për mua, edhe përkundër lëndimit. Edhe pse tash nuk është më trajner Robin Dutt, i cili më ka sjellë këtu”, tha më tej Ferati.

Për të, paraqitja në elitën e futbollit gjerman do të jetë një nder dhe privilegj i madh. Ferati disa herë e kishte përsëritur se mezi pret të luajë në futbollin gjerman, ku kualiteti me atë zviceran dallon si nata me ditë. Në Basel ai luajti përkrah futbollistëve të tjerë shqiptarë, Xherdan Shaqiri dhe vëllezërve Taulant e Granit Xhaka.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›