Gati për vrapim
Të dielën do të mbahet gjysmë-maratona ndërkombëtare ‘Prishtina 2011’, për të njëmbëdhjetin vit me radhë. Kjo gjysmë-maratonë organizohet nën patronatin e Ministrisë së Sportit nga Federata e Atletikës e Kosovës (FAK) në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.
Këshilli Organizativ i këtij evenimenti ka bërë të ditur se janë kryer të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e kësaj gare, derisa afati për regjistrimin e garuesve do të mbyllet të shtunën. Regjistrimi i garuesve ka filluar të bëhet më 30 maj dhe deri të enjten pjesëmarrjen në këtë garë e kanë konfirmuar rreth 150 garues. Por, deri të shtunën mbrëma, organizatorët presin që ky numër të rritet dukshëm. Madje, organizatorët veç kanë ftuar zyrtarisht garues nga vende të ndryshme, si nga Kenia, Etiopia, Moldavia, Rumania, etj.
Garat do të zhvillohen në konkurrencën e meshkujve dhe atë të femrave, në tri disiplina.
Shtegu më i gjatë do të jetë 21 km. Vrapimi nis në ora 10:00 para Teatrit Kombëtar, për të vazhduar rrugës drejt Fushë Kosovës, më pas kah rruga që çon drejt Mitrovicës, derisa kthimi në pikën e nisjes bëhet kah lagjja Arbëria. Po ashtu, do të vrapohet edhe në disiplinat 5 km dhe 1km.
Më të suksesshmit do të shpërblehen me të holla. Në kategorinë e seniorëve të konkurrencës së meshkujve fituesi do të shpërblehet me 1200 euro, i dyti me 900 euro, i treti me 700, i katërti me 500 euro, etj. Ndërsa në konkurrencën e femrave, garuesja e parë do t’i fitojë 1000 euro, e dyta 700, e treta 400 euro, etj. Në kategorinë e veteranëve, garuesi i parë do t’i fitojë 300 euro, aq sa do t’i fitojë edhe garuesja e parë. Ndërsa në vrapimin 5 km, i pari dhe e para do të shpërblehen me nga 150 euro. Shpërblime do t’u ndahen edhe më të mirëve në kategorinë e personave me aftësi të kufizuara, etj.
Kryetari i FAK, Halil Sylejmani, beson se gjysmë-maratona e sivjetme do të jetë më e mira në Kosovën e pasluftës. “Të gjitha përgatitjet janë kryer për këtë gjysmë-maratonë. Besoj se do të jetë gjysmë-maratona më cilësore, për dallim prej atyre të viteve të kaluara. Pres një rivalitet të madh të garuesve dhe vrapim cilësor”, ka thënë Sylejmani në një konferencë për media të mbajtur të enjten në Prishtinë.
Ndërsa edhe zyrtarë të Ministrisë së Sportit dhe të Komunës së Prishtinës kanë shprehur bindjen e tyre se gjysmë-maratona e së dielës do të jetë më e mira për dallim prej atyre të kaluara.