Gati projekti, arseniku i Azotikut do të groposet
• FIER – Arseniku i ngurtësuar, i krijuar prej vitesh në zonën e ish-Azotikut të Fierit do të groposet në këtë qark.Në këtë mënyrë duket se do të zgjidhet një nga fenomenet më shqetësuese të qarkut. Të paktën kështu ka deklaruar prefekti i Qarkut, Shahin Bejdaj, për eliminimin e lëndës helmuese, e cila prej vitesh rrezikon banorët e qytetit të Fierit. Ngërçi i krijuar nga Ministria e Mjedisit për disa vite rresht po zgjidhet po me nismën e kësaj ministrie. Një faks ka mbërritur dy ditë më parë nga kjo ministri në zyrën e prefektit Bejdaj në të cilin parashtrohej lëvizja e arsenikut nga ambientet e Azotikut. Pas kësaj, Bejdaj ka mbledhur në një takim dhe u ka komunikuar “ogurin” e mirë drejtuesve të Bashkisë së Fierit. Sipas njoftimit të ministrisë problemi i arsenikut do të marrë fund me ngritjen e një landfilli. Ndërkaq pas këtij sinjali prefekti është shprehur se kjo është një zgjidhje e mirë, edhe pse pak e vonuar. “Rëndësia qëndron në faktin që më në fund pritet një zgjidhje e shpejtë e problemit të arsenikut. Shumë shpejt parashikohet të marrë fund ky problem ndotjeje prej sasisë së lartë të arsenikut të ngurtësuar që është kthyer në makth për banorët”, është shprehur Bejdaj në fjalën e tij. Por edhe pse një lajm i mirë ky version nuk është bërë i besueshëm për banorët. “Nuk e besojmë shumë, sepse edhe në vitin 2005 erdhi firma italiane për të hequr të gjithë masën e arsenikut, por asgjë nuk ndodhi. Prandaj ne nuk mund të përgëzojmë vetëm fjalë. Do të jemi në pritje të zgjidhjes së këtij problemi dhe nëse vazhdojnë të na gënjejnë do të ndërmarrim protesta të tjera më të zgjeruara”, thonë ata. Firma italiane “Selca”, e angazhuar tre vjet më parë për zbatimin e projektit, duhej ta kishte përfunduar procesin, që parashikonte të zgjaste 10 muaj. Firmës iu shty afati deri në mars të vitit 2005, por pa rezultat. Nga drejtori i Azotikut të atyre viteve, Fetah Hyka, italianët kryen vetëm 10 për qind të punës. Sipas këtij projekti 850 metra kub arsenik, duhej të asgjësoheshin me fondin prej 1 milion eurosh, akorduar nga Komuniteti Evropian. Lënda e arsenikut konsiderohet si një rrezik shumë i madh që kërcënon të ndotë mjedisin jo vetëm në territorin e Fierit. Në rast të shpërbërjes së arsenikut, helmi do të shpërndahet në lumin e Gjanicës dhe më pas të përfundojë në detin Adriatik. m.r