E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Grekët” shkarkojnë kreun e pyjeve

• Shkarkohet drejtori i pyjeve të Devollit pas protestës së banorëve grekë pranë kufirit për dëmin që fqinjët shqiptarë u kanë shkaktuar.DEVOLL/ Jorgjeta gjanÇi Dy javë më parë, prefekti i Kozanit paraqiti para drejtuesve vendorë në Korçë shqetësimin e bashkatdhetarëve të tij për dëmin ndaj masiveve pyjore. Ka qenë vetë zv.prefekti i Korçës, Sabri Turabi, i cili i ka komunikuar shkarkimin drejtorit të shërbimit pyjor, Remzi Gupe. Po kjo duket se nuk mund ta zgjidhë problemin, pasi sipas drejtuesve të shërbimit pyjor në prefekturë e gjithë zona e pyllëzuar e Devollit është shpallur e mbrojtur nga shteti. Në këto kushte devollinjtë nuk kanë ku të plotësojnë nevojat e tyre për dru zjarri dhe lëndë ndërtimi, duke iu drejtuar në mënyrë klandestine pyjeve në territorin grek. “Banorët e zonës së Devollit janë duke dëmtuar pyjet tona”, deklaroi prefekti i Kozanit kur në prani të prefektes Elfrida Zefi përcolli gjendjen e krijuar në kufi me Shqipërinë. Sipas tij, vetë banorët kanë protestuar për gjendjen, pasi po dëmtohet pasuria pyjore. Pushtetari grek deklaroi se zjarret e rëna vitin e shkuar shkaktuan katastrofë në Greqi, e cila po vazhdon me dëmtimin nga persona të papërgjegjshëm. “Banorët e zonës kufitare të Rrethit të Devollit për të siguruar drutë e zjarrit hyjnë në pyjet e vendit tonë dhe kanë kryer dëme në një vijë prej 5 mijë metra linear, duke dëmtuar kështu njëherësh edhe faunën e kësaj zone të mbrojtur nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ai. Informacionet e dhëna nga prefekti i Kozanit kanë qenë konkrete, pasi janë pikasur personat që prisnin pemët. Për këtë fakt përfaqësuesi grek ka bërë të ditur se janë njoftuar nëpërmjet një korrespodence zyrtare edhe Ministria e Brendshme në Shqipëri dhe autoritetet e pushtetit lokal në Korçë. Fill pas deklaratës së bërë nga pushtetari grek iu komunikua shkarkimi drejtorit të pyjeve në Devoll, i cili është zëvendësuar me një tjetër. Megjithatë, nuk dihet sesa do të ndikojë shkarkimi te fenomeni, pasi banorët e Devollit shprehen se nuk kanë mundësi ku të sigurojnë drutë për nevojat e tyre. Që në kohën kur shteti ka marrë në mbrojtje pasurinë pyjore në këtë rreth banorët e zonës kufitare, veçanërisht ata që jetojnë në fshatrat kufitare me shtetin grek dhe që e njohin mirë terrenin, deklaruan se vendimi është i nxituar. “Askush nuk mendon se me çfarë drush do të ngrohemi ne”, shprehen devollinjtë. Ata si rrugëzgjidhje kanë gjetur prerjen e druve të zjarrit në thellësi të tokës greke. Por, jo pak raste ata janë shfrytëzuar nga trafikantë të lëndës drusore dhe druve të zjarrit që ua grumbullojnë drutë e prera në Greqi banorëve të zonës kufitare dhe mandej me çmim të dyfishuar i tregtojnë ato në thellësi të vendit tonë. “Zonë e mbrojtur” pas dëmeveShpallja si zonë e mbrojtur nga shteti e pyjeve në Devoll është bërë pas dëmtimit rëndë të tyre gjatë 17 vjetëve të fundit. Vetëm vitin e kaluar janë mbajtur në këtë rreth 144 procesverbale administrative me një vlerë dëmi 2.1 milionë lekë dhe me një vlerë gjobe prej mbi 21.1 milionë lekë. Gjithashtu janë bërë 4 kallëzime penale, sekuestrime të lëndës drusore. Dëmet u bënë dhe më të mëdha pasi verën e shkuar u dogjën 1180 hektarë pyje pas rënies së zjarreve masive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›