Vdes pas përplasjes me autobusin
• Një aksident i rëndë ku ka humbur jetën një person dhe është plagosur një tjetër ka ndodhur dje në superstradën Korçë – Kapshticë.KORÇE/ JORGJETA GJANÇIBurime policore bënë të ditur se dje në orët e mesditës në këtë segment rrugor një fuoristradë është përplasur me një autobus të linjës Korçë-Athinë. Si pasojë e përplasjes ka mbetur i vdekur drejtuesi i autoveturës Gazmir Grazhdani, 33 vjeç, ndërsa është plagosur rëndë bashkudhëtari i tij Petrit Dajçi, 57 vjeç. Mësohet se në autobusin e përfshirë në aksident nuk ka pasur asnjë të lënduar. Autobusi i linjës Korçë–Athinë, i nisur nga Korça po udhëtonte në drejtim të Rrethit të Devollit, me 50 pasagjerë. Tek kryqëzimi i superstradës me rrugën automobilistike në dalje të fshatit Zëmblak ai është përplasur me një fuoristradë me targë TR 0823 H të drejtuar nga 33-vjeçari Grazhdani. Sipas deklaratave të personave që udhëtonin me autobus drejtuesi i autoveturës e kishte humbur kontrollin e mjetit të tij para përplasjes. Ata kanë treguar se fuoristrada ka udhëtuar në krahun e kundërt dhe i ka prerë rrugën autobusit duke e bërë përplasjen të paevitueshme. Nga goditja e fortë fuoristrada që drejtohej nga Grazhdani ka përfunduar nën pjesën ballore të autobusit. Të sinjalizuar nga drejtues automjetesh që ishin pranë vendit të aksidentit, forcat e policisë së qytetit të Korçës dhe një grup ekspertësh kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Ata kanë bllokuar lëvizjen e automjeteve në të dyja anët e rrugës derisa kanë kryer procedurat e nevojshme. Pas mbërritjes së policisë në vendngjarje i plagosuri Dajçi është dërguar me urgjencë për në spitalin e Korçës ku i është nënshtruar terapisë intensive. Sipas policisë aksidenti ka ndodhur pasi fuoristrada në momentin e fundit para përplasjes ka udhëtuar në anën e kundërt të rrugës së vet. Dyshohet se kjo ka qenë si pasojë e humbjes së vetëdijes së drejtuesit të mjetit nga ndonjë gjendje fiziologjike ose nga ndonjë defekt i mundshëm i mjetit në ecje e sipër. Megjithatë, sipas policisë shpejtësia dhe lagështira në rrugë duket se kanë qenë fatale për drejtuesin e makinës. Pas ndërprerjes së qarkullimit rrugor në këtë superstradë për rreth një orë rifilloi qarkullimi në të dyja anët e saj.Pesë të plagosur në aksidentELBASAN – Pesë persona u plagosën rëndë pas përplasjes së makinës së tyre me një tjetër. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës, në rrugën Elbasan-Metalurgjik. Makina me targë EL 51 81 B, drejtuar nga Roland Shpata u përplas me veturën me targë TR 1335 P, ku udhëtonin të rinjtë Armand Toli, Migena Lipi si dhe Aldo e Almeda Guraj. Përplasja e fortë, si pasojë e lagështirës dhe shpejtësisë ka bërë që të pestë udhëtarët të marrin plagë të rënda. Makina e Shpatës ka marrë flakë, por ndërhyrja e një shoferi të rastësishëm ka mundësuar shuarjen e tij. Pas mbërritjes në urgjencën e spitalit të qytetit është gjykuar transportimi për në spitalin ushtarak, por vetëm tre prej tyre janë dërguar me autoambulanca. Dy të tjerët për mungesë mjetesh spitalore janë nisur me mjete private. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Elbasanit, sipas të cilave aksidenti u shënua nga pakujdesia e drejtuesve, e favorizuar nga kushtet e këqija të motit. a.k