E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varka e Farkës, e rregullt teknikisht

• Ekspertiza e varkës së tragjedisë, e cila u mori jetën 16 personave në liqenin e Farkës, tregon se mjeti lundrues nuk ka pasur asnjë defekt.Sipas specialistëve që kanë bërë verifikimin e varkës, ajo ka qenë në gjendje të mirë teknike. Hetuesit në fakt, kanë bërë një eksperiment me varkën që në momentin e nxjerrjes së saj nga uji. Ata e kanë kthyer mjetin në gjendje lundrimi, pasi varka kishte mbetur përmbys që pas mesnatës së 6 marsit kur ndodhi tragjedia. Në momentin kur është mbajtur në pozicionin e saj normal, hetuesit kanë parë se varka nuk fuste ujë dhe se lundronte normalisht. Lajmi konfirmohet për gazetën “Panorama”, nga burime të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Të njëjtat burime thanë se, një pjesë e eksperimentit me varkën është kryer që të shtunën, gjatë nxjerrjes së saj nga liqeni. Lëvizja e varkës nga pika ku ishte mbytur deri në bregun perëndimor të liqenit të Farkës, ka shërbyer si eksperiment për hetuesit e çështjes. Oficerët që po marrin pjesë në hetimin e çështjes, kanë pohuar se nga dëshmitë e marra është mësuar se, me dhjetëra herë të tjera, varka kishte transportuar mesatarisht 14 deri në 15 persona pa shfaqur probleme. Duke iu referuar këtyre rasteve, duket se mbrëmjen e tragjedisë, pronari i barkës u ka kërkuar 18 klientëve të tij të hipnin të gjithë në varkë. Asnjë herë tjetër mjeti lundrues nuk kishte lëvizur me kaq persona në bord. Një nga pasagjerët e barkës, siç është shprehur në polici një prej të mbijetuarve, në momentin e tragjedisë, Afrim Dibra, pronari i restorantit dhe i varkës, u ka kërkuar pasagjerëve të lëviznin përpara pasi tek motori, në pjesën e pasme të saj, varka po fuste ujë. Ky moment sipas policisë, ka shkaktuar edhe shpërqendrimin e pasagjerëve të varkës, të cilët kanë nisur të lëvizin dhe të dalin përpara thuajse të gjithë. Ata dyshohet se janë përqendruar në një krah anësor të varkës, duke humbur drejtpeshimin e saj. Ky veprim sipas policisë mendohet se ka humbur edhe ekuilibrin e mjetit lundrues, duke shkaktuar edhe mbytjen e saj.Evitimi i katastrofësZyrtarët e policisë janë shprehur se, tragjedia e ndodhur në Farkë nuk mund të evitohej. Sipas hetimeve, rezulton se pasagjerët e mbytur të varkës kanë vdekur rreth 5-10 minuta pas fundosjes së mjetit lundrues nga bllokimi i frymëmarrjes dhe temperatura e ulët e ujit. Por gjithsesi, atë natë, i pari person që ka telefonuar sallën operative të policisë në numrin e saj pa pagesë 129 është përballur me vështirësi serioze. Atij i është dashur ndoshta për 20 minuta, t’i sqarojë sallës operative se po fliste për një ngjarje të vërtetë, ndërsa nga ana tjetër e telefonit i bëheshin pyetje mosbesuese, rreth vendndodhjes së tij, moshës, emrit, mbiemrit e të tjera të dhënave identifikuese. Nëse ky komunikim nuk do të kishte qenë kaq i gjatë, policia do të mbërrinte në vendin e ngjarjes të paktën 15 ose 20 minuta më herët. Por sipas burimeve zyrtare, punonjësit e sallës operative kanë qenë të detyruar të verifikonin vërtetësinë e telefonatës për shkak se vazhdimisht persona të caktuar telefonojnë dhe japin informacione të paqena, duke angazhuar në mënyrë të kotë shërbimet e policisë. Fenomeni i mashtrimit gjatë telefonatave që bëhen në centralet e urgjencave, jo vetëm të policisë, është bërë aq i përhapur saqë duket se punonjësit janë të detyruar të verifikojnë imtësisht çdo informacion dhe çdo telefonatë dhe më pas të përcjellin informacionin për alarmin, apo emergjencën tek strukturat që bëjnë ndërhyrjen në terren.                                       d.bCentralet e urgjencësShërbimi Zjarrfikës     128Ndërhyrja e Shpejtë    129Policia Rrugore    126Informacioni i Telekom    122Urgjenca Mjekësore    222235Prokuroria, nga viti 2006 vetëm tre të dënuar për njoftime të rreme në polici TIRANE – “Njoftim i rremë në organet e rendit publik”. Kjo është vepra penale e parashikuar në Kodin Penal për rastet kur qytetarë të ndryshëm telefonojnë sallën operative të policisë dhe japin informacione të rreme. Fenomeni është aq i përhapur saqë ndodh shpeshherë që qytetarët që duan të lajmërojnë për ngjarje të vërteta, duhet të presin me minuta të tëra sepse numri i telefonit del i zënë. Gjatë kësaj kohe, sipas burimeve në shumicën e rasteve linjat janë të zëna me telefonatat e personave që duan të tallen. Ata bëjnë telefon në numrat pa pagesë dhe japin informacione të pasakta duke zënë linjat. Por qytetarët që përpiqen të denoncojnë emergjenca të vërteta, pasi presin lirimin e linjës, për disa minuta të tjera duhet të deklarojnë të dhëna të konsiderueshme derisa informacioni i dhënë prej tyre të vlerësohet i besueshëm dhe forcat e policisë apo urgjenca mjekësore të vihet në lëvizje. Policia dhe institucionet e tjera nuk kanë shumë kompetenca të veprojnë në këtë rast, duke parandaluar fenomenin. Jo vetëm policia, por edhe zjarrfikëset dhe urgjenca mjekësore, çdo muaj dërgojnë në Prokurori kallëzime penale për të paktën dy raste lajmërimesh të rreme. Sipas burimeve zyrtare sallat operative të policisë, zjarrfikëseve dhe urgjencës mjekësore tashmë i identifikojnë plotësisht numrat e telefonit të atyre që mashtrojnë, duke i denoncuar në Prokurori me emër dhe mbiemër. Por Prokuroria nuk ka vepruar dhe siç duket nuk vepron aktualisht në këto raste. Nga viti 2006 deri në muajin mars të vitit 2008, Prokuroria e Tiranës rezulton se ka ngritur akuzë për njoftim të rremë, vetëm ndaj tre personave. Një prej tyre është dënuar me gjobë, një tjetri i është pushuar fare akuza kurse i treti ndodhet ende në proces gjyqësor. Institucione të ndryshme si policia, Ministria e Brendshme apo ajo e Shëndetësisë, kanë shfaqur rezervat e tyre për punën e Prokurorisë në këtë drejtim. Sipas tyre, Prokuroria duhet të veprojë për këto raste pasi kallëzimet janë të plota dhe të qarta. Vetëm në këtë mënyrë, me anë të veprimit të Prokurorisë,  mund të parandalohen abuzime të tilla nga qytetarët, të cilat duken të rëndomta por që kanë ndikim atëherë kur minutat e shpejtësisë së ndërhyrjes së policisë apo mjekëve, kanë vlerën e jetës së njerëzve.          tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›