Nënë Tereza nëpërmjet pikturash dhe stilimesh
Nënë Tereza përkujtohet në vitin e pestë të lumturimit të saj. Mbrëmjen e së shtunës në ambientet e hotel “Sheraton”, për shenjtoren shqiptare është realizuar një mbrëmje bamirësie nën kujdesin e Zonjës së Parë Teuta Topi dhe ideuar nga studio “Toçila”. Mbrëmja e titulluar “Nënë Tereza, shenja shenjtërie” u çel me një sfilatë mode, me veshje që përmbanin simbolet e Nënë Terezës, realizuar nga stilistja Merita Toçila. Më pas është realizuar edhe një ankand pikturash, të ardhurat e të cilave do t’u shkojnë misionit të motrave të Nënë Terezës në Tiranë. Në këtë mbrëmje morën pjesë Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Liri Berisha, imzot Rrok Mirdita dhe përfaqësues të politikës dhe artit. Në fjalën e saj znj. Topi u shpreh se humanizmi dhe vepra e Nënë Terezës janë gjithmonë shembull bashkëjetese për sot e për të ardhmen. “Ajo jo vetëm u qëndroi pranë miliona njerëzve në botë, duke i ndihmuar të marrin frymë më lirshëm, por iu zbuti shpirtin qindra miliona të tjerëve duke trokitur pa pushim në ndërgjegjen e tyre me fjalët: ‘bëj diçka për nevojtarët’. Më shumë së kurrë, shoqëria shqiptare ka nevojë ta përsërisë këtë mesazh, sepse mes nesh ka shumë nevojtarë, që e presin këtë mesazh si veprim”, u shpreh ajo. Gjatë ankandit janë shitur tre vepra arti, dy piktura të artistit të njohur Sali Shijaku, me nga përkatësisht 1350 e 1000 euro, një skulpturë e realizuar nga Idril Koka me 1400 euro si dhe një pikturë e Anastas Konstandinit është shitur 470 euro. Ndërkohë katër piktura të realizuara nga artistët Adnan Kastrati, Artan Shabani, Arben Bajo dhe Orion Shima nuk janë shitur.