E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati, skema e largimeve nga policia

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Rikompozimi i policisë, ndryshime të shefave të komisariateve
Kreu i Policisë së Tiranës do të kalojë në shtator pranë Policisë së Shtetit

Ndryshimet do ketë dhe në rang zv. drejtorësh, shefa të seksioneve në drejtorinë e Policisë, ku disa janë ndryshuar kohët e fundit. Ndryshime priten dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku implementimi i strukturës së re policore do të sjellë krijimin e disa departamenteve të reja

Fillimi i shtatorit do të sjellë ndryshime në strukturën drejtuese të policisë së kryeqytetit. Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur, se gjatë rikonstruktimit do të ndryshojnë Drejtori i Policisë së Tiranës, si dhe drejtues të tjerë të rangjeve me të ulëta. Drejtori i policisë, Muhamet Rrumbullaku, i cili mban gradën e Nëndrejtorit të Përgjithshëm, (që ia lejon ligji, si pasojë e drejtimit të policisë së kryeqytetit), do të shkojë në një post tjetër në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Kjo gjë sipas të dhënave do të bëhet si stimul për Rrumbullakun. Por këto lëvizje do të prekin dhe personat e tjerë drejtues në këtë institucion. Ndërkaq, pas ndryshimit të kreut, priten që të bëhen të tjera ndryshime dhe në shefat e komisariateve, të të gjithë kryeqytetit.
Ndryshimet
Ndryshimet priten që të nisin në fillim të muajit shtator, kur të rikthehen të gjithë punonjësit e uniformave blu në punë, me mbarimin e pushimeve. Prej disa ditësh është folur për ndryshimin e kreut të Policisë së Tiranës, duke e dërguar atë në Policinë e Shtetit, në një post të lartë drejtues. Ndërkohë që zëvendësuesi i tij, pritet të jetë po një drejtues i lartë i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Por gjithashtu përflitet që në postin e Drejtorit të Policisë së Tiranës, të vihet Nikolin Bala. Ky i fundit aktualisht mban postin e Drejtorit të Policisë së Shkodrës, ku ka arritur rezultate të kënaqshme në punën e tij. Ndërkaq që ndryshimet do ketë dhe në rang zv. drejtorësh, shefa të seksioneve në drejtorinë e Policisë, ku disa janë ndryshuar kohët e fundit. Ndryshime priten dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku implementimi i strukturës së re policore do të sjellë krijimin e disa departamenteve të reja, bashkimin e disa të tjerave dhe në këto poste do të vijnë drejtues të rinj. Struktura e re pritet që të vihet në funksionim në datën 1 shtator të këtij viti. Burime nga policia, kanë bërë të ditur, që ndryshimet bëhen për rifreskim të organizimit të punës. Sipas tyre, ndryshimet janë normale dhe nuk kanë të bëjnë me ndëshkime apo lëvizje për shkaqe të ndryshme, por gjithçka bëhet në bazë të qarkullimeve të herëpashershme.
Reforma
Menjëherë pas hyrjes në fuqi të ligjit për gradat po përgatiten dhe lëvizjet e para në polici. Edhe pse nuk ka ende një listë emërore të punonjësve që do të dorëzojnë uniformën, mësohet se është gati skema e largimeve. Mospërputhja e gradës me pozicionin është kriteri bazë mbi të cilin priten lëvizjet në polici. Burimet bëjnë të ditur se përveë uljeve në detyrë pirtet të ketë dhe largime nga rradhët e policisë, por edne nuk janë përcaktuar mbi baza do të realizohen këto të fundit.
Specialistët
Specialistët, përgjegjësit e sektorit apo drejtorët në Policinë e Shtetit, që punojnë në pozicione që lidhen me procesin e informatizimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe kërkojnë në mënyrë të detyrueshme, arsimin e lartë, në degët “Inxhinieri Elektronike” apo “Informatikë”, përfitojnë një shtesë për kushte pune, prej 10.000 (dhjetë mijë) lekësh mbi pagën mujore të gradës përkatëse. Në vendim thuhet se zbatimi i kësaj shtese për pozicionet konkrete bëhet pas miratimit paraprak të Departamentit të Administratës Publike dhe të Ministrisë së Financave, sipas përshkrimit të pozicioneve të punës. Sipas të njëjtave burime, mësohet se efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi vendimit, do të përballohen nga fondet e parashikuara për politikat e pagave, për vitin 2008. Ndërkohë që vendimi hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2008.

Gradat
Punonjësit e policisë që do të marrin gradën “Nëninspektor”
Ata në periudhën e provës dhe që sapo kanë mbaruar shkollën e policisë

Sipas vendimit të ndryshimit të gradave, të gjitha gradat e rolit bazë në Policinë e Shtetit janë hequr dhe janë rritur në grada të rolit të mesëm, të bërë me ligj të ri. Gradat e rolit të mesëm e deri te roli drejtues e madhor kanë pësuar ndryshime. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, punonjësit e policisë, të cilët janë në periudhën e provës dhe sapo kanë mbaruar shkollën e policisë, do të mbajnë gradën “Nëninspektor”. Ndërsa uniformat blu me gradë “agjent” dhe "agjent i parë", do të marrin gradën e “Inspektorit”. Sipas kësaj përllogaritjeje, gradat do të njësohen deri tek ato madhore, ku grada më e madhe që ishte më parë ajo e “Drejtuesit të Parë”, do të ndryshohet me gradën “Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit”.

Koha për fitimin e çdo grade

2 vjet
Nga inspektor në kryeinspektor

2 vjet
Nga kryeinspektor në nënkomisar

3 vjet
Nga nënkomisar në komisar

3 vjet
Nga komisar në kryekomisar

3 vjet
Nga kryekomisar në drejtues

4 vjet
Nga drejtues në drejtues i parë
4 vjet
Nga drejtues i parë në zëvendësdrejtor i përgjithshëm

Pa afat kohor
Nga zëvendësdrejtor i përgjithshëm në drejtor i përgjithshëm

Cilat do të jenë gradat e reja në Policinë e Shtetit

Gradat janë pika më e diskutueshme e policisë. Plot 16 nenet e pjesës së tretë të projektligjit të Policisë së Shtetit, u janë kushtuar gradave në polici. Sistemi i gradave përcakton hierarkinë, nivelet e administrimit si dhe pasqyron marrëdhëniet ndërmjet funksioneve në polici. Në projektin më të ri të ligjit të policisë është sqaruar shumë hollësisht kuptimi i klasave dhe i gradave. Gjithashtu, në projektligj sqarohet edhe mënyra se si një punonjës policie mund të kalojë nga një gradë më e ulët në një më të lartë dhe anasjelltas, si dhe sa vjet duhen përkatësisht për çdo gradë për të kaluar në një më të lartë. E vetmja që nuk ka një afat të përcaktuar, është kalimi nga zëvendësdrejtor i Përgjithshëm në Drejtor të Përgjithshëm.
Llojet e gradave
Gradat shprehin pozitën që ka punonjësi në strukturën hierarkike të Policisë së Shtetit. Deri tani janë përcaktuar 10 grada, të cilat ndahen sipas klasave dhe ecurisë në karrierë. Punonjësit e policisë në nivelin zbatues nuk mund të kenë një gradë më të lartë se “Nëninspektor”, “Inspektor” ose “Kryeinspektor” dhe punonjësit e nivelit të parë drejtues mund të kenë gradat “Nënkomisar”, “Komisar” ose “Kryekomisar”, por jo më lart se kaq. Ndërkohë për nivelin e mesëm drejtues janë gradat “Drejtues” dhe “Drejtues i Parë”, ndërsa për nivelin e lartë drejtues janë gradat “Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm” dhe “Drejtor i Përgjithshëm”.
Ky lajm është publikuar: 18/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›