E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leasor, biografi më i mirë i Mbretit Zog

Autori i Lajmit: red.
Biografi më i mirë i figurës së Mbretit të Shqipërisë, Ahmet Zogu, ka qenë shkrimtari britanik, James Leasor. Është vlerësuar si i tillë nga vetë Mbreti i Shqipërisë edhe pse libri biografik në fakt u shkrua në një kohë të turbullt, në momente tepër të tendosura për fatet e Shqipërisë. Ishte koha kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Në atë kohë Mbreti i Shqipërisë, Zogu, u largua nga Shqipëria, por në rezidencën e tij në ekzil ai ishte shumë i kënaqur me veprën e shkruar nga Leasor.
Leasor më pas ka shkruar se “të jesh një biograf i Mbretit të Shqiptarëve, Ahmet Zogut, nuk ka qenë shumë e lehtë”. Mbreti i Shqipërisë, sipas tij ka qenë një figurë komplekse dhe tepër e zgjuar. Shkrimtari Leasor, që dikur kishte kënduar këngën “Zoti është bariu im” me Lord Beaverbrook, nuk refuzoi të shkruajë për Mbretin e Shqiptarëve, ofertë të cilën e realizoi mjeshtërisht, shkruante shtypi britanik. Ai kishte shkruar më parë për Kenneth More dhe Jack Hawkins dhe menjëherë më pas shkruan për Mbretin e Shqipërisë, Ahmet Zogu.
Urdhri i Mbretit të Shqipërisë për Leasor
Kur ai shkroi librin biografi për Zogun, vetë Mbreti i Shqipërisë u mahnit me talentin e tij. Ai menjëherë e bëri atë një “Kalorës të Urdhrit të Shën Xhonit të Jeruzalemit”. Sipas informacioneve të shkruara për këtë biografi të realizuar, mësohet se “Mbreti i jashtëzakonisht kënaqur nga libri biografik për të, kurseu nga shpenzimet për hotele dhe fatura të tjera, për të paguar shkrimtarin dhe vlerësuar punën e tij”. Biografia e Zogut mbeti një vepër model për një kohë të gjatë, derisa James Leasor realizoi më pas disa vepra të tjera me një temp më të lartë, siç ishte ajo e Dukës së Winsor dhe aktorit Kenneth More. Autori i 70 librave në prononcimet e tij të shumta publike ka theksuar se biografia për Mbretin Zog, ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme. Librat e tij ndodhen në “British Library”. Suksesi i tij më i madh i këtij shkrimtari ka qene “Dr Jason Love”, një nga librat më të suksesshëm britanikë, pas atij për James Bond. Shkrimtari James Leasor mësohet se ka qenë një nga miqtë e mëvonshëm të Mbretit Zog dhe familjes së tij.
Në “British Library”
Midis shumë indekseve për librat e shkruar në lidhje me Mbretin e Shqipërisë, Ahmet Zogu, është pak vështirë të realizosh kërkimin e duhur në British Library. Javë të tëra kërkimesh për të nxjerrë në dritë realitetin: “Libri nuk gjendet!”. Një realitet që në fillim duket paksa i çuditshëm e që përfundon në ngritjen e supeve nga ana e profesionistëve të fushës së kërkimit. Realiteti që libri është shkruar nga një autor shumë i njohur britanik, siç është James Leasor e bën faktin të kërkohet më tej. Kështu që më në fund duhej edhe ndihma e shtypit vendës të zbulohej se libri është një ndër 70 veprat e autorit, por më i vlerësuari prej të tjerëve. Nga informacionet e medias britanike mësohet se biografia e shkruar nga Leasor ka qenë një lloj ghost-writing dhe kjo ndoshta është një nga arsyet, se përse libri nuk është ende në indeksin e British Library. Por përse ky libër nuk ka ngjallur një interesim të mëparshëm në mediat shqiptare?

Ky lajm është publikuar: 15/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›