E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gati të bashkëpunoj me Nanon kundër Berishës"

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, deklaroi dje se është i hapur të bashkëpunojë me të gjithë faktorët progresistë dhe opozitarë, duke pranuar se kjo do të ndodhë edhe me Fatos Nanon, i cili, sipas tij, është një faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare. Sipas Metës, roli i ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të PS-së, në spektrin e majtë, është shumë i rëndësishëm, sepse edhe me kontributin e tij, me fitoren e së majtës dhe forcave progresiste, do të ishte e sigurt nxjerrja në pension politik e Kryeministrit aktual Sali Berisha. Duke komentuar intervistën e Nanos, dhënë në një emision televiziv, Meta u shpreh se "nga qëndrimet e Nanos, unë do të doja të merrja thelbin e shqetësimit të tij. Atë çka do të vlerësoja si më racionalen nga shqetësimi i tij, është pikërisht domosdoshmëria e një bashkëpunimi midis forcave të opozitës për të garantuar një fitore në zgjedhjet e 28 qershorit". Më tej Meta uroi që "Nano, pavarësisht nga moskandidimi për deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, të ketë një rol aktiv për të ndihmuar në fitoren e opozitës dhe të majtës në zgjedhjet e 28 qershorit, pasi duhet thënë se ai përfaqëson një faktor shumë të rëndësishëm të së majtës dhe në këtë mënyrë është e domosdoshme që të gjithë këta faktorë të bashkërendojnë dhe të bashkëpunojnë me qëllimin kryesor, fitoren e opozitës, fitoren e së majtës dhe forcave progresiste, si dhe nxjerrjen në pension politik të Kryeministrit aktual Berisha". Gjithashtu ai la të hapur bashkëpunimin paszgjedhor, duke theksuar se "pas 28 qershorit, projekti për bashkëpunimin e së majtës mbi principe shumë demokratike do të jetë i hapur". Pyetjes se a do të bashkëpunonte me Nanon, kreu i LSI, Meta, iu përgjigj se "jam shumë i hapur të bashkëpunoj me të gjithë faktorët progresistë dhe opozitarë dhe padyshim që më duhet të theksoj se Nano është një faktor shumë i rëndësishëm në të majtën shqiptare për shkak të një roli të rëndësishëm dhe historik që ai ka pasur". Në vlerësimin e Metës, Nano përfaqëson një figurë tepër komplekse dhe njëkohësisht një figurë ende shumë përfaqësuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›