Vizat? BE shtyn shqyrtimin e raportit
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian shtyjnë diskutimin mbi liberalizimin e vizave. Ndryshe nga ç‘pritej, në mbledhjen e parashikuar të COWEB, përfaqësuesve të vendeve anëtare për çështjet e Ballkanit, nuk është shprehur asnjë pozicion mbi vendet e rajonit. Në këtë takim janë dëgjuar vlerësimet e bëra nga komisioni për përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit nga Maqedonia, Serbia, Mali i zi, Bosnja dhe Shqipëria, raporti i së cilës u publikua të dielën nga TCH. Komisioni Evropian ka shpjeguar se raporti i dytë, pas atij të nëntorit 2008, përmbledh qëndrimet e marra nga delegacionet e KE-së, të vendeve anëtare, të shteteve të interesuara të Ballkanit për këtë proces, por dhe të 15 misioneve vëzhguese të ekspertëve të BE-së, të cilët vizituan rajonin gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti, për të verifikuar në terren zbatueshmërinë e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Nisur nga koha e shkurtër, vetëm një javë që pas dorëzimit të raporteve më 18 maj, vendet anëtare kanë kërkuar edhe një javë kohë më shumë për të paraqitur pozicionin e tyre ndaj Komisionit Evropian mbi liberalizimin e vizave me Ballkanin. Qeveritë e rajonit do të njihen me qëndrimet e shteteve anëtare të BE-së pas përpunimit të tyre nga Komisioni Evropian. Zëvendëspresidenti Jacques Barrot, njëkohësisht komisioner për çështjet e drejtësisë, lirisë e sigurisë, është shprehur në një komunikatë për shtyp se "pret me padurim komentet e vendeve anëtare, çfarë do të mundësonte më pas, në një afat kohor sa më të shkurtër që të ishte e mundur, që t‘i paraqitej një propozim Kolegjit të Komisionerëve për të hequr detyrimin për viza ndaj qytetareve të një apo disa vendeve që përmbushin kriteret e udhërrëfyesit". Deri tani, Shqipëria nuk i përmbush këto kritere, me gjithë progresin e bërë në 4 blloqet kryesore të udhërrëfyesit. Për liberalizimin e vizave, shqiptarët duhet të presin një raport të tretë nga komisioni, në të cilin nuk do të mjaftonte vetëm një vlerësim pak më pozitiv se dy të parët.