E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati urdhri për zgjedhje të reja të Dhomës së Tregtisë

26/10/2009  Ministria e Ekonomisë nuk njeh Nikolin Jakën

Ministria e Ekonomisë po përgatit urdhrin për anulimin e zgjedhjeve për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës. Një ditë pas reagimit zyrtar të METE-s, në lidhje me shpalljen e Nikolin Jakës si kryetari i ri i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, burimet të këtij dikasteri bëjnë të ditur për gazetën “Metropol” se këto zgjedhje do të shpallen të parregullta. Dy janë arsyet që e kanë shtyrë kreun e Ministrisë së Ekonomisë, Dritan Prifti, të kërkojë riorganizimin e zgjedhjeve. Së pari, pasi Nikolin Jaka është ende në hetim nga Prokuroria, sipas Ministrisë së Ekonomisë. Jaka në vitin 2007 kur ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Transporteve dhe është akuzuar për korrupsion. “Në vështrim të parë, përveç ngutjes dhe hapësirave të pakta për të bërë fushatë nga kandidatët rivalë, duket qartë që zgjedhja e Kryetarit të ri bie ndesh me statutin e institucionit, neni nr. 6, i cili thotë se asnjë anëtar asambleje nuk mund të zgjidhet nëse është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale”, - thekson njoftimi për shtyp. Arsyeja e dytë ka të bëjë me mosrespektimin e afateve për kandidimin. Në të njëjtën ditë është dhënë dorëheqja e kreut të mëparshëm, Gjok Uldedaj dhe po kështu edhe zgjedhja e kreut të ri Nikolin Jaka. Arsyet që e çuan z. Gjok Uldedaj të japë dorëheqjen e parevokueshme kanë të bëjnë me angazhimet e tij në jetën parlamentare. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, Nikolin Jaka pretendon se ka fituar pafajësi nga gjykata në lidhje me dënimin dhe burgosjen e tij për vepër penale, por nuk kishte paraqitur përpara Asamblesë së Dhomës së Tregtisë së Tiranës asnjë dokument që vërteton këtë, kusht i domosdoshëm sipas kërkesave të statutit. “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës është informuar se Prokuroria vazhdon të ndjekë çështjen me z. Jaka në Gjykatën e Lartë. Ky fakt tregon se pafajësia e z. Nikolin Jaka nuk është një proces i mbyllur nga gjyqësori. Zgjedhja e z. Nikolin Jaka në këtë mënyrë është e pavlefshme, sipas rregullave të vetë Statutit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë”,- përfundon njoftimi për shtyp i ministrisë.

Gara

Anëtarët e Asamblesë u mblodhën për të votuar tre kandidaturat për postin e kryetarit të ri. Sipas njoftimit të Dhomës së Tregtisë, për postin drejtues konkurruan, Edmond Rusmali, Nikolin Jaka dhe Sami Çela, ku fitues me shumicë votash u shpall Nikolin Jaka. “Pas shpalljes së rezultatit, Jaka u shpreh para anëtarëve të asamblesë se institucioni i Dhomës do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të biznesit shqiptar, si dhe do të vijojë lobimin për njohjen e resurseve shqiptare nëpër botë me qëllim tërheqjen e investitorëve të huaj në vendin tonë”, - thuhet në njoftimin për shtyp të Dhomës së Tregtisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›