E Diel, 1 Nëntor 2026

Karburantet, 150 milionë euro dëm nga cilësia e keqe

26/10/2009  Konfindustria mbështet METE-n për rregullimin e tregut

Cilësia e dobët e karburanteve shkakton një dëm prej 150 milionë eurosh në vit si humbje të drejtpërdrejta. Kjo pa marrë parasysh spekulimet me çmimet në treg, apo dëmet mjedisore dhe shëndetësore. Me këtë argument një prej grupimeve më të mëdha të industrive në vend, Konfindustria ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen e papranueshme të tregut të karburanteve. Sipas administratorit të përgjithshëm, Gjergj Buxhuku, pasojat e kësaj gjendjeje në tregun vendas janë të rënda sa i përket kostove shtesë të industrive vendore, zhvillimit tërësor të qëndrueshëm të ekonomisë, humbjeve të mëdha financiare në buxhetin e shtetit, dëmeve mjedisore dhe shëndetësore si dhe në goditjes së drejtpërdrejtë të mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.

Reagimi

Konfindustria ka vlerësuar qëndrimin e fundit të Ministrisë së Ekonomisë me anë të të cilit ajo ka pranuar gjendjen e rëndë tashmë në tregun e karburanteve. Me anën e këtij qëndrimi, sipas Buxhukut, METE ka përcaktuar “cilësinë” e dobët të karburanteve në qarkullim si shkakun kryesor të keqfunksionimit të tregut strategjik në fjalë. “Konfindustria vlerëson se mbi 70 për qind e humbjeve të përgjithshme të drejtpërdrejta, pa llogaritur dëmet mjedisore, shëndetësore, që në shkallë vendi llogariten në të paktën 150 milionë euro/vit në tregun e karburanteve, kryhet pikërisht nga “cilësia” e dobët e produktit. Pjesa tjetër vjen nga abuzimi/vjedhjet me "vëllimin" në shitje në pikat e pakicës dhe me spekulimet me çmimin e shitjes në kohë lëvizjesh të thella në tregjet ndërkombëtare”, - thekson në reagimin e tij, administratori Gjergj Buxhuku. Aktualisht sipas tij, tregu i karburanteve vlerësohet si më i madhi në Shqipëri me një qarkullim vjetor që i kalon 800 milionë euro. “Konfindustria shpreson që nisma e fundit qeveritare për përmirësimin e funksionimit të tregut të karburanteve në vend të jetë e prekshme në kohë sa më të shpejtë dhe të mos mbetet vetëm deklarative”, - nënvizon Buxhuku.

Afati

Dy ditë më parë ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka lënë një afat prej 3 muajsh për të vënë rregull në tregun e karburanteve, gjatë një takimi në Inspektoratin Qendror Teknik, ku ka kritikuar drejtuesit për lejim të abuzimeve. Ai ka lënë tre muaj kohë për të përmirësuar situatën në treg. “Brenda tre muajsh situata duhet të ndryshojë dhe unë vetë do të kryejë kontrolle te pikat e karburanteve. Nëse problemet nuk zgjidhen, atëherë do të kem punë me çdo kontrollor në terren”,- tha Prifti. Kjo ka qenë edhe arsyeja e shkarkimit nga detyra të drejtorit të përgjithshëm të këtij inspektorati, Ilir Kurti, në vend të të cilit është emëruar Virgjil Joti. “Konsumatori ka probleme me cilësinë e karburantit që tregtohet në tregun shqiptar. Unë kam blerë para dy vjetësh një makinë të re e kanë çuar disa herë për riparim për shkak të cilësisë së dobët të karburantit, i cili është përzier. Problemi nuk vjen nga importi, por nga abuzimet pasi futet në tregun tonë. Mjafton një vëzhgim në Tiranë dhe konstaton se mbi 30 për qind e pikave të karburantit nuk e kanë shenjën e importit. Nëse do ta kishin, ata nuk mund të përzienin karburantin dhe të abuzonin me cilësinë”, - është shprehur ministri Prifti. Ai ka shtuar se tregues për përzierjen që i bëhet karburantit nga subjektet private është edhe luhatja e ndjeshme e çmimit nga njëra zonë në tjetrën. “Në dalje të Tiranës, çmimi i karburanteve është dukshëm më i ulët, madje më i ulët se edhe në tregun ndërkombëtar. Kjo tregon se ky karburant përzihet”,- tha Prifti. Sipas tij, kjo situatë nuk mund të tolerohet më, pasi ka kosto për konsumatorët si dhe ndikon në procesin e integrimit, sepse standardet evropiane që konsiderohen kusht për këtë proces, nuk po zbatohen.

Gjobat

Ministri i Ekonomisë ka akuzuar punonjësit e Inspektoratit Qendror Teknik për bashkëpunim me spekulatorët në treg nisur nga numri i vogël i gjobave të vendosura. “Ka rezultuar se keni vendosur 60 gjoba për një vit. Këto gjoba janë vendosur për peshq të vegjël dhe nuk është prekur asnjë nga kompanitë e mëdha që kanë shkelur ligjet. Gjithashtu, është i patolerueshëm fakti që ende nga ky inspektorat nuk janë mbledhur 27 milionë lekë gjoba”, - është shprehur ministri.

Numri jeshil

Ministri Prifti ka kërkuar përmirësim të kuadrit ligjor, ku të përfshihet vendosja e një numri jeshil në të gjitha pikat e tregtimit të karburanteve, në mënyrë që konsumatori të ketë mundësi që të ankohet për çdo abuzim. Një strukturë e posaçme do të ngrihet për të kontrolluar tregun e karburanteve, sipas kreut të Ministrisë së Ekonomisë. METE ka kërkuar fonde shtesë nga buxheti për dy laboratorë të tjerë dhe një laborator lëvizës në rrete për kryerjen e analizave.

Kompanitë

Në vend funksionojnë rreth 154 kompani të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve, 19 prej tyre janë në listën e kompanive VIP të Drejtorisë së Tatimeve. Tregu i shumicës së naftës për vitin 2008 arriti një vlerë rekord prej afro 77 miliardë lekësh, me një rritje rreth 40 për qind, në krahasim me vitin 2007. Gjatë vitit të kaluar u importuan rreth 550 mijë tonë karburante, me një rritje 5 për qind krahasuar me vitin 2007. Rritja mesatare nga viti në vit është 5-8 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›