E Diel, 1 Nëntor 2026

Kanceri i gjirit, mjekët vizita në terren

26/10/2009  Sensibilizim i grave dhe në Fier. Marshim në rrugët e qytetit: Një vizitë ju shpëton jetën

DURRES- Një ekip me mjek ka dalë në terren për të bindur gratë në rritjen e ndjeshmërisë lidhur me rreziqet që bart indiferentizmi i mosrealizimit të testit për kancerin e gjirit. Drejtoresha e këtij shërbimi të shëndetit publik në Durrës, Lida Boshku, dhe bluza të tjera të bardha kanë organizuar fillimisht në repartet e Filantos në Shijak takim me gra e vajza duke pasur në fokus të vëmendjes rritjes së cilësisë së jetesës.

Kujdesi

Boshku dhe mjeke të kësaj drejtorie kanë manifestuar në mjediset e kësaj firme një sërë praktikash të nivelit bashkëkohor për kujdesin ndaj shëndetit të nënave, grave dhe vajzave. Kjo drejtori ka vendosur një kalendar takimesh në kompani e ndërmarrje private e shtetërore për të ndërgjegjësuar komunitetit femëror në domosdoshmërinë e realizimit të vizitave të specializuara. Sipas Boshkut, e cila mbështetet në të dhëna statistikore, në Durrës numri i femrave të prekura nga kanceri i gjirit ka shënuar rritje nga viti në vit. Kjo madje ka qenë edhe arsyeja që Drejtoria e Shëndetit Publik ka dalë në terren për të ushtruar të gjithë autoritetin në parandalimin e sëmundjes. Dr. Boshku ka thënë se mjafton një vizitë tek specialisti për të shmangur të papriturën, e cila vë në rrezik jetën. Kalendari i kësaj drejtorie parashikon që në fund të pranverës të ketë një material përmbledhës lidhur me këtë nismë. Durrësi ka shumë punishte e fabrika me komunitetet femëror të përqendruar dhe kjo ka bërë të mundur edhe udhëtimin në disa muaj të ekipit mjekësor për demonstrime të tilla.

Marshim në Fier

Muaji tetor shënon edhe muajin e luftës kundër sëmundjes së kancerit të gjirit. Qindra gra intelektuale dhe njerëz të profesioneve të ndryshme, kreu i bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, kanë marshuar mesditën e së dielës në qendër të qytetit të Fierit në shenjë sensibilizimi për t’u ruajtur ndaj sëmundjes së kancerit të gjirit. Marshimi ka nisur nga sheshi përballë godinës së teatrit të qytetit dhe ka përfunduar në sheshin “Fitorja” përballë godinës së universitetit “Kristal”. Aktiviteti është nismë e qendrës së “Gruas për gruan” në bashkëpunim me Bashkinë Fier, Bankës Petrolium, First Investiment Bank, ujit mineral “Tepelena” etj. Në këtë aktivitet morën pjesë qindra njerëz gra që kanë kontribuar në çështjet e gruas në përgjithësi, dhe në atë të luftës ndaj kancerit në veçanti, përfaqësues të organizatës botërore për shëndetin, UNFPA, këngëtarë të ftuar etj. Të pranishmit i përshëndeti kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, drejtori i organizatës së shëndetit për Shqipërinë, përfaqësuesja e UNFPA Flora Ismaili etj. “Ne duhet të angazhohemi së bashku që të kemi programe të qarta për të ardhmen kundër sëmundjes së kancerit të gjirit”,-ka thënë Zeqaj. Ndërsa Ismaili ka theksuar shifrat tronditëse që një ndër 9 gra preket nga sëmundja e kancerit të gjirit dhe ekzaminimi në kohë i kësaj sëmundjeje shpëton jetët tona. Një koncert me këngëtarë të ftuar nga Fieri dhe Shqipëria ka qenë në epilog të këtij marshimi sensibilizues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›