E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pedagogët s’janë nëpunës që plotësojnë 8-orarshin”

Ngarkesa mësimore për pedagogët, ishte ndër pikat kyçe të diskutimeve në mbledhjen e senatit të Universitetit të Tiranës. 

ZIRINA LLAMBRO

Puna me normë e përcaktuar në udhëzimin e fundit të MASH “Për veprimtarinë e personelit akademik në institucionet publike të arsimit të lartë”, ka ngjallur reagimet e të gjithë komunitetit universitar. Drejtuesit e fakulteteve dorëzuan dje në rektorat pretendimet e argumentet e tyre për udhëzimet e njëpasnjëshme të nxjerra së fundmi nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës. Nga sa bën me dije rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule shkresat e fakulteteve do të përcillen në MASH. “Ishte lënë një afat i caktuar që fakultetet të njiheshin me udhëzimet e ministrisë. Sot drejtuesit e tyre dorëzuan në formë të shkruar argumentet e tyre për këto akte nënligjore. Pjesa më e madhe e tyre kanë shprehur shqetësimin për mënyrën sesi është konceptuar ngarkesa mësimore për pedagogët”, tha rektori Kule. Ai shtoi se, udhëzimi duhet të rishikohet me logjikën e ekipit të përbashkët. “Nuk bëhet fjalë për të përballuar orët mësimore të caktuara për pedagogët. Nuk është ky thelbi. Thelbi është formati i konceptimit. Ajo çka ne na shqetëson është mënyra si jemi trajtuar. Ministria duhet të kuptojë se pedagogët nuk janë nëpunës, por ja që janë trajtuar plotësisht si të tillë”, theksoi rektori i Universitetit të Tiranës. Sipas Kules, është tashmë domosdoshmëri që aktet nënligjore që nxjerr MASH të konsultohen me grupet e interesit. “Pedagogu nuk futet në zyrë në orën 8:00 të mëngjesit dhe del prej saj në orën katër, nuk është person që duhet të plotësojë 8-orarshin. Kjo gjë ka shqetësuar të gjithë stafin akademik. Detyra jonë është që të evidentojmë se veprimet e ndërmarra deri tani janë jo legjitime”, nënvizoi rektori duke shtuar se, janë një sërë aktesh nënligjore që kanë ardhur në universitete, për të cilat nuk u është marrë asnjë mendim. “Të bëjmë me dije ministrinë për këtë problematikë që na shqetëson është detyrimi ynë. Ky dikaster duhet të kuptojë se punët e mira në arsim bëhen duke respektuar ligjin”, tha Kule.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›