E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet, INSTAT: Edhe shkurti ishte pozitiv

 

Inflacioni në muajin shkurt ka qenë 1.9 për qind, duke pësuar ulje në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë. E thënë ndryshe, gjatë shkurtit çmimet e mallrave të shportës nuk kanë pësuar ndonjë rritje të ndjeshme. Pra konsumatorët nuk kanë rritur shpenzimet e tyre për të blerë mallra të konsumit të përditshëm. Sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Statistikave në vend (INSTAT), Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin shkurt 2009, arriti 103.3 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (dhjetor 07=100), duke shënuar një rritje prej 0.7 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin shkurt është 1.9 për qind. Një vit më parë, ky ndryshim ishte 3.6 për qind. Gjatë muajit shkurt, çmimet e ushqimeve dhe pijeve jo alkolike kanë pësuar një rritje prej 1.6 për qind. Rritjen më të lartë e ka pasur grupi i zarzavateve. Rritje kanë pësuar edhe çmimet e frutave. Ndërkohë që gjatë muajit shkurt janë ulur çmimet e “qumësht djath e vezë” 0.3 për qind, dhe “peshk” 0.1 për qind. Ndërkohë sipas INSTAT-it, gjatë këtij muaji çmimet e pijeve alkolike dhe duhanit kanë pësuar rritje. Ndërsa çmimet e veshjeve dhe të këpucëve janë ulur. Indeksi i grupit “Transport” shënoi një rritje prej 0.3 për qind. Gjatë muajit shkurt, çmimi i naftës shënoi një ulje prej 1.5 për qind dhe çmimi i benzinës një ulje prej 1.6 për qind.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›