Privatizimi i OSSH, çekët duan “përjashtim nga TVSH”
fabiola Çela
Ashtu siç ishte deklaruar edhe më parë, privatizimi i OSSH mbetet një ndër proceset më të vështirë. Edhe pse kompania fituese e tenderit ndërkombëtar ka muaj që është shpallur, kontrata e shitjes nuk është finalizuar ende. Kjo pasi kompania ceke “CEZ” ka kërkuar që të përjashtohet nga taksa e TVSH-së, pasi ata kërkojnë që të paguajnë TVSH-në vetëm për energjinë e arkëtuar. Konkretisht mosmarrëveshjet mes grupit negociator shqiptar dhe blerësit, që është kompania ceke CEZ, kanë të bëjnë me pagimin e taksës së vlerës së shtuar të energjisë që shitet. Deri më tani, OSSH kishte paguar TVSH të përllogaritur mbi faturimet mujore, ndërkohë që blerësi kërkon që të paguajë TVSH mbi arkëtimet mujore. Vetëm pak ditë më parë, qeveria miratoi një vendim me anë të së cilit borxhet e OSSH-së ia delegoi KESH-it. Një vendim i tillë u mor pas kërkesës së bërë nga IFC-ja. Kjo pasi gjatë periudhës së negocimit të kontratës së shitjes së OSSH-ë është konstatuar një rënie e vlerës së aseteve të kësaj kompanie. Konkretisht konsulenti i privatizimit të kësaj kompanie IFC-ja bëri një vlerësim të aseteve për periudhën nga 1 janari i 2008-ës deri në 31 dhjetor të 2008-ës dhe për periudhën 1 janar 2009 deri më 30 prill 2009-ë, periudhë në të cilën pritet të bëhet kalimi i pronësisë te kompania ceke. Sipas këtij rivlerësimi, vlera e aseteve të kompanisë OSSH-ë kishin pësuar rënie dhe nuk ishin më në ato nivele, kur qeveria shqiptare dhe kompania ceke nisën negociatat për shitjen e saj. Shkak për këtë rënie të vlerës së aseteve ishte aplikimi i modelit të ri të tregut të energjisë elektrike. Në këto kushte dy ishin alternativat ose të ulej çmimi i shitjes së OSSH-së ose kalimi i borxheve të OSSH drejt KESH-it. Pra në mënyrë që të mos preket çmimi i shitjes së kësaj kompanie, u vendos që detyrimet afatshkurtra që OSSH-ë ka ndaj KESH-it për blerje të energjisë eklektike, të cilat arrijnë vlerën prej 1 miliardë lekë të shuhen. Transferimi i aseteve të përfunduara tashmë nga KESH, për llogari të OSSH në shumën 1.1 miliardë lekë, të përdoren për rritjen e kapitalit të OSSH-së. Shuma prej 0.53 miliardë lekë, që pasqyron pagesën e interesave të kredive afatgjata, të bëra nga KESH gjatë 2008-ës, të pasqyrohen si rritje e kapitalit të OSSH-ë. Gjithashtu edhe dy kreditë e marra të kalojnë në llogari të KESH-it. Bëhet fjalë për kredinë e marrë në Bankën Evropiane të investimeve, prej 2.3 miliardë lekësh dhe kredinë e Bankës Botërore, e cila arrin në 2.68 miliardë lekë. Privatizimi i OSSH-ë është një ndër proceset më të rëndësishëm. Zyrtarë të lartë të qeverisë kanë premtuar se ky proces do të mbyllet së shpejti.