Gazi, ja nevojat që ka tregu shqiptar
Gazsjellësi Trasadriatik është më i leverdishmi për Shqipërinë. Projekti që lidhet me Italinë do të furnizojë me gaz edhe Kosovën dhe Malin e Zi. Në raportin e saj më të fundit, Enti Rregullator i Energjisë ka shpjeguar edhe arsyet se pse ky gazsjellës është më i leverdishmi për ekonominë e vendit.
Projekti
Aktualisht Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë të vetmit shtete evropiane, të cilët nuk janë lidhur me rrjetet ndërkombëtare të gazit. Në kushtet aktuale furnizimi me gaz në vend parashikohet të bëhet nëpërmjet lidhjes me rrjetet ndërkombëtare të gazit, për të cilat ka tre variante. Së pari që Shqipëria të shërbejë si terminal fundor i gazsjellësve rajonale me gaz natyror rus nga Maqedonia si dhe me gaz natyror rus nga Greqia. Sipas opsionit të dytë Shqipëria mund të shërbejë si transit i magjistralit të gazit për furnizimin e Evropës nëpërmjet Italisë, me gaz natyror nga rajoni i kaspikut në aksin Turqi-Greqi, Shqipëri-Itali me anën e projektit “Transadriatik” ose “TAP”. Si dhe opsioni i fundit i furnizimit të vendit me gaz është që Shqipëria të shërbejë si terminal i gazit natyror të lëngët në bregdetin Adriatik. Por sipas analizës së kryer nga ekspertët e ERE-s projekti më i leverdishëm i lidhjes së Shqipërisë me rrjetin ndërkombëtar të gazit është projekti “TAP”. Kjo pasi ky projekt do të ndihmojë në diversifikimin dhe sigurinë e furnizimit me gaz të vendeve të Evropës. Ky projekt vlerësohet si gazsjellësi me eficent nga të katër projektet e korridoreve të furnizimit të Evropës Juglindore. TAP përfshin opsionin e zhvillimit të depozitave natyror të gazit në Shqipëri, i cili është goxha i rëndësishëm nga pikëpamja e rëndësisë së sigurisë së furnizimit me gaz. Sipas ERE-s, ky projekt është shumë i rëndësishëm për vetë strukturën energjetike të Shqipërisë, pasi ndikon në rifutjen e përdorimit të gazit në vendin tonë, si dhe pritet të ndikojë në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në vend. Ky projekt lejon gjithashtu që të furnizohet me gaz Kosova, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina dhe vendet e tjera në veri të rajonit. Një gjë e tillë do të mundësohet nëpërmjet krijimit të një unaze tubacionesh gazi që do t’u shërbejë këtyre vendeve.