Josa: Vllaznia në Krujë? Thjesht do bëjë lojën e saj
Trajneri Mirel Josa pohon se nuk do të bëjë ndonjë ndryshim për ndeshjen e radhës me Kastriotin në transfertë
Ndeshja e së dielës ndaj Kastriotit po pritet me interes në kampin shkodran. Shumëkush e konsideron provën e vërtetë të forcës së Vllaznisë në këtë kampionat. Megjithatë, për Josën, nuk mund të merret si ndeshje prove. Ai e ka të qartë se luhet ndaj njërës prej skuadrave që ka shpenzuar shumë në merkaton e sivjetme, e cila edhe ajo do ketë objektiv fitoren dhe prandaj është një takim shumë interesant dhe i vështirë.
Mendoj se nuk duhet gjykuar si prova e forcës së Vllaznisë. Luajmë ndaj një skuadre e cila ka investuar shumë këtë sezon, duke marrë në radhët e saj lojtarë cilësorë dhe prandaj edhe ajo do ta kërkojë fitoren. Do jetë një ndeshje interesante dhe njëkohësisht shumë e vështirë. Ne do mundohemi të bëjmë lojën tonë dhe, kuptohet, objektivi është për të mos dalë pa pikë, prandaj dhe po i bëjmë shërbimin kësaj edhe në stërvitje gjatë këtyre ditëve, – ka thënë dje Josa.
Optimizmi Për këtë sfidë në Shkodër ka filluar të ketë shumë interes. Tifozët duken optimistë për një paraqitje të mirë të skuadrës së tyre në këtë takim dhe ndërkohë premtojnë se do jenë në shkallët e stadiumit të Krujës për të mbështetur Vllaznisë. Drejtuesit e bashkisë janë duke i qëndruar shumë afër ekipit dhe tashmë është në dorën e lojtarëve të bindën me një paraqitje të mirë në këtë ndeshje.
Trajneri Josa e ka thënë edhe pas ndeshjes me Teutën se ajo fitore është e rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit të tij dhe, në fakt, kjo vazhdimësi pritet tashmë të ruhet, sepse kalendari është vërtet i vështirë në javët e ardhshme. Vllaznia shkon në Krujë këtë javë, pret pastaj Tiranën dhe shkon në Vlorë. Vetë ky short tregon se kuqeblutë duhet të bëjnë më të mirën, duke filluar nga ndeshja e radhës.
Kuptohet që krutanët nuk do heqin dorë kollaj nga fitorja, sepse ecuria e tyre në dy ndeshjet e fundit kanë zhgënjyer me rezultatet e tyre. Ata do kërkojnë medoemos fitoren ndaj Vllaznisë dhe Josa e ka të qartë këtë gjë. Kjo nuk do të thotë se ai i druhet furisë krutane. Për të e rëndësishme është që skuadra e tij të bëjë më të mirën në fushë e të mos luajë me oshilacione siç ka luajtur në ndeshjet e fundit, ku vetëm në fragmente të ndryshme loje ka shfaqur fytyrën e vërtetë të saj.
Vlerësimi Kastriotin e vlerësojmë ashtu siç duhet, pa e mbivlerësuar apo nënvlerësuar. Kam besim te djemtë e mi, që ata do të japin më të mirën e tyre në këtë ndeshje, – ka shtuar trajneri i kuqebluve. Për këtë ndeshje, pritet që nga drejtuesit e klubit të akordohet sërish një premio e majme dhe njëkohësisht të ketë edhe autobusë për tifozët që do udhëtojnë drejt Krujës.
Grupimi Vllaznit Ultras, por edhe të tjerë, janë mjaft të kënaqur me mënyrën si po punon bashkia dhe kuptohet që dëshira e tyre e madhe është që edhe rezultatet e skuadrës të vijnë gjithnjë në rritje, në mënyrë që Vllaznia të zërë vendin që i takon në tabelën e renditjes.
Hasani i dëmtuar, mungon edhe në Krujë
Edon Hasani nuk ka luajtur në ndeshjen e fundit me Teutën, por nuk do jetë në fushë as në ndeshjen e ardhshme me Kastriotin. Shkak është një dëmtim që ka pësuar në këmbën e tij të djathtë, të cilën edhe dje e ka pasur të fashuar dhe, për rrjedhojë, nuk është stërvitur me grupin.
Ende nuk dihet me saktësi sa do zgjasë ky dëmtim, sepse sipas mjekëve, kjo gjendje mund të zgjasë rreth 6 javë, megjithatë mjeku i ekipit mendon se gjërat do rikuperohen më shpejt dhe Hasani do bashkohet me skuadrën në tërësi. Nga ana tjetër, edhe Gocaj ka pasur një dëmtim në gju në ndeshjen ndaj durrsakëve, por me shumë mundësi mesfushori i djathtë do jetë i gatshëm për të luajtur në Krujë këtë fundjavë.
