E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gay: Reduktimi i KFOR-it, nuk e dëmton misionin

Prishtinë -Komandanti i forcës paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO në Kosovë, gjenerali Giuseppe Emilio Gay deklaroi sot se reduktimi eventual i KFOR-it nuk do të dëmtojë misionin. "Nuk mendoj se reduktimi, në rast se Këshilli Veriatlantik në nivel politik vendos të pakësojë numrin e ushtarëve të KFOR-it, do të dëmtojë misionin tonë", theksoi Gay në një intervistë ekskluzive sot për Radio Kosovën.

"Nëse ju kujtohet në 1999, kur unë kam qenë këtu për herë të parë, ne ishim pak a shumë 45 mijë. Pas kësaj ne gradualisht jemi reduktuar dhe tani kemi rreth 14 mijë trupa", përkujtoi ai. "Mendoj se misioni i KFOR-it mund të reduktohet, pasi Policia e Kosovës çdo ditë e më shumë po bëhet më profesionale, EULEX-i po bën punën e tij dhe në të vërtetë nuk kemi kërcënime të mëdha nga jashtë apo të brendshme", ka theksuar Gay.

"Pra, nëse vendimi politik do të jetë reduktimi i forcave në KFOR, kjo nuk do të ndikojë shumë në punën dhe misionin e KFOR-it", u shpreh gjenerali Gay.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›