E Diel, 1 Nëntor 2026

Pilotët: Zëvendësoni sensorët ose bojkot

Paris- Një sindikatë e kompanisë ‘Air France’ u ka kërkuar pilotëve të mos pranojnë të drejtojnë avionët Airbus A330/A340 deri sa kompania të zëvendësojë sensorët e shpejtësisë, që aktualisht janë në fokusin e një hetimi pas rrëzimit të avionit francez javën e kaluar në Atlantik.

Kompania "Air France" deklaroi fundjavën e kaluar se do të zëvendësojë sensorët e shpejtësisë në të gjithë avionët e udhëtimeve të gjata, por nuk përcaktoi asnjë afat kohor për realizimin e këtyre ndryshimeve. Sindikata "Alter" deklaroi se anëtarët e saj nuk duhet të pilotojnë këto avionë deri sa këto ndryshime të jenë kryer.

"Refuzoni çdo fluturim me avionët A330/A340 tek të cilët nuk janë ndërruar të paktën dy sensorë shpejtësie", deklaroi sindikata në faqen e saj të internetit. Një avion Airbus A330 ka tre sensorë shpejtësie.

Një Airbus A330 i kompanisë Air France që po udhëtonte nga Rio de Janeiro drejt Parisit, u rrëzua në Atlantik javën e kaluar duke shkaktuar vdekjen e të 228 personave në bord. Hetuesit kanë deklaruar se ka "mospërputhje" me matjen e shpejtësisë përpara rrëzimit, duke ngritur hipoteza për sensorët e shpejtësisë të avionit që mund të jenë çorientuar duke u dhënë pilotëve informacion të gabuar për shpejtësinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›